image Kryediplomatët e vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen për konferencë sot

Politikë

Kryediplomatët e vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen për konferencë sot

news image

Nën drejtimin e ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, sot do të zhvillohet konferenca e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Këtë e bëri të ditur të hënën në Berlin, zëdhënësja e zëvendësministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse. Konferenca ka për qëllim të parapërgatitë samitin e ardhshëm të krerëve të qeverive, i cili do të zhvillohet në fillim të korrikut, nën drejtimin e kancelares, Angela Merkel.​​

Sipas Sasses, përveç ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të disa vendeve anëtare të BE-së, si edhe Komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi dhe sekretari i përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Stefano Sannino, raporton DW, transmeton Gazeta Sinjali.

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014. Ai ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbsë.

Procesi konsiderohet edhe si “paradhomë e BE-së”. Pas Gjermanisë, si nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë deri tani: Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgari/Maqedonia.

Një nga arritjet e deritanishme të procesit të Berlinit është miratimi i planit për tregun e përbashkët rajonal dhe afrimi i të rinjve nëpërmjet rrjetit RYCO (Regional Youth Cooperation Office). Megjithatë konfliktet e pazgjidhura ndërmjet shteteve në rajon kanë qenë pengesë e vazhdueshme për funksionimin si duhet të nismave të dala nga Procesi i Berlinit./Gazeta Sinjali/