image KRU “Prishtina” apelon te qytetarët: Mos hidhni mbeturina në rrjetin e kanalizimit

Kosovë

Njoftim/ KRU “Prishtina” apelon te qytetarët: Mos hidhni mbeturina në rrjetin e kanalizimit

news image

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën të ditur se në muajin mars është intervenuar në mbi 350 raste, zhbllokime të pusetave të ujërave të zeza, pastrim i pusetave dhe vendosje të kapakëve të pusetave në tërë zonën e shërbimit.

KRU “Prishtina” kërkon nga qytetarët të mos hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit sepse po e dëmtojnë rrjetin e kanalizimit.

“Vetëm ditën e djeshme kanë intervenuar në 7 raste në qytetin e Prishtinës, një rast në Fushë Kosovë dhe një në Drenas. Në këtë kohë pandemie, gjithnjë në përballje kundër përhapjes së virusit COVID-19, lusim të gjithë qytetarët të kenë kujdes dhe mos të hedhin mbeturina, gjëra ushqimore të mbetura jashtë përdorimit, yndyra, faculeta të lagura në rrjetin e kanalizimit (në guacën e tualetit dhe lavamanin e kuzhinës) të cilat janë të papërballueshme për një sistem të kanalizimit i cili nuk është i dedikuar për gjëra të panevojshme (të dëmshme), ngase po e dëmtojnë rrjetin e kanalizimit duke krijuar vështirësi për punëtorët tanë në zhbllokimin e tyre madje, duke u krijuar edhe telashe konsumatorëve në afërsi”, thuhet në komunikatë.

Rastet e tilla zhbllokohen çdoherë nga ana e ekipeve të mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit, por mbeturinat e llojeve të ndryshme (përzierja e yndyrave dhe mbetjeve të tjera të lëngëta e edhe të ngurta) po shkaktojnë shqetësime në shëndetin e punëtorëve dhe mund të krijohen kushte jo të favorshme për intervenim.

“Është koha të japim respektin më të madh për punëtorët e mirëmbajtjes së KRU ‘Prishtina’ sepse puna e tyre në terren sidomos në këtë periudhë me rrezikshmëri të lartë është vërtetë e pashembullt. Gjithçka që ata po bëjnë është mënyra që ata kanë gjetur për t’u dalë në ndihmë secilit konsumatorë. Të ruajmë infrastrukturën e rrjetit të ujësjellësit dhe ujërave të zeza!”, thuhet tutje. /GazetaSinjali/