image Kaosi me mbeturinat në Prishtinë, Rama tregon çka po bëjnë për të zgjidhur këtë problem

Politikë

Kaosi me mbeturinat në Prishtinë, Rama tregon çka po bëjnë për të zgjidhur këtë problem

news image

Ditë më parë kontejnerët në Prishtinë u stërmbushën nga mbeturinat. E gjithë kjo pasi kompania ‘Pastrimi’ nuk mblodhi bërllokun për ta dërguar në deponi për shkak të borxhit që ka ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se përkundër paralajmërimit nga komuna se do të ndihmojnë “Pastrimin”, lajmin për mbylljen e deponive e kuptuan nga mediat.

“Që janë mbyll deponitë, përkundër faktit që ne e kemi bërë publike se do të ndihmojmë kompaninë Pastrimi. Përkundër atij fakti deponia është mbyll, kamionët s’kanë mundur me zbraz bërllokun”, tha Rama.

“Në njërën anë marrim masa të menjëhershme, në anën tjetër planifikimi strategjik i një deponie e cila i përmbush rregullativat europiane është e nevojshme dhe sot nuk e kemi atë”, tha ai në RTK.

“Kompania Pastrimi ka probleme të mëdha të financave. Ka borxhe por mendoj se ka ndodhur edhe një keqmenaxhim përbrenda strukturave menaxhuse të kompanisë Pastrimi. Të gjitha këtyre gjanave kemi mund me ju parapri, me bo investime edhe më parë ose me ngre këtë çështje më herët që të mos jemi në këtë gjendje që jemi sot”, tha i pari i Prishtinës.

Rama tha se kanë ndërmarrë hapa që do të çonin në një zgjidhje të këtij problemi. Ai tregoi se kanë vendosur që Prishtina të ketë kompaninë e vetë që merret vetëm me bërllokun e kryeqytetit. Kjo u vendos në takim me komunat me të cilat rrethohet Prishtina.

“Pastrimi i kryeqytetit është problem me të cilin jemi duke u marrë në mënyrë intensive. Kemi pasur takim me komunat përreth dhe pikërisht e kemi shpreh këtë pakënaqësi tonën se si kryeqytet ne kemi votën e njëjtë me komunat e tjera në aspektin e vendimmarrjes. Është shumë më e vështirë me marrë vendime të menjëhershme për të mirën e kryeqytetit për arsye se duhet t’i marrim parasysh edhe të gjitha komunat përreth. Kemi vendosur që Prishtina të ketë kompaninë e vetë që merret vetëm me pastrimin e Prishtinës. Komunat e tjera t’i kenë të vetat”, theksoi ai.

/GazetaSinjali/