image "Kriza me staf shëndetësor, sfidë për luftimin e COVID-19 në Kosovë"

Shëndetësi

“Kriza me staf shëndetësor, sfidë për luftimin e COVID-19 në Kosovë”

news image

Një sistem edhe ashtu i brishtë shëndetësor në Kosovë, nën kërcënimin e largimit të vazhdueshëm të stafit mjekësor, mund të përkeqësojë gjendjen me pandeminë COVID-19.

Kështu mendon Hana Xhemajli, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, që në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka folur për problemet që priten derisa bota po hyn në vitin e tretë të pandemisë.

Xhemajli thotë se në kontekst global problem vazhdon të jetë vaksinimi i pabarabartë i popullsisë së vendeve të ndryshme të botës.

Në anën tjetër, sipas Xhemajlit, Kosova pritet të përballet me sfidën për vaksinimin e fëmijëve të vegjël, proces për të cilin, sipas saj, ka hezitim në mesin e popullatës.

Xhemajli bën thirrje që institucionet t’i kushtojnë vëmendje forcimit të sistemit shëndetësor për të parandaluar ngufatjen nga një valë e re eventuale e infeksionit.

Kujtojmë se shpërndarja e variantit Omicron të COVID-19 tani për tani është në qendër të vëmendjes në luftën botërore kundër pandemisë.

Në Kosovë deri në fund të dhjetorit është arritur vaksinimi i rreth 43 për qind të popullsisë, ndërkaq tani ka nisur edhe administrimi i dozave të treta dhe atyre përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë me Hana Xhemajlin.

Radio Evropa e Lirë: Bota po hyn në vitin e tretë me pandeminë COVID-19, cilat mendoni që do të jenë sfidat më të mëdha tutje?


Hana Xhemajli: Fakti që ne po hymë në vitin e tretë të pandemisë dhe ende nuk e kemi mësuar mësimin më të rëndësishëm, flet jo mirë për situatën me pandeminë.

Ajo çfarë nënkuptoj nuk është situata lokavaksle e shteteve individuale, mirëpo situata globale ku e shohim se një pjesë e madhe e botës po e konsideron dozën e tretë të vaksinës [kundër COVID-19], ndërsa i kemi shtetet e Afrikës që i kanë marrë më pak se dy për qind dy dozat e plota. Për këtë arsye është një disbalanc që e krijon problemin që e kemi në aktualitet që është vazhdimi i pandemisë dhe varianteve të reja të njëpasnjëshme. Kështu që, viti i tretë do të duhej të ishte më shumë si një shembull që të vazhdohet me procedura të tjera e jo këto që i kemi pasur deri tash.

Radio Evropa e Lirë: Derisa shumë shtete të botës po planifikojnë administrimin e dozave të treta e të katërta të vaksinës, vende të ashtuquajtura të botës së tretë ende kanë vështirësi në vaksinimet fillestare, si mendoni që ndikon kjo në vështirësinë e luftimit të pandemisë?

Hana Xhemajli: Kjo e bën të pamundur daljen nga pandemia. E kuptoj që secili shtet e ka për detyrë që ta ketë qytetarin e vet prioritet. Por, nëse ne nuk mendojmë më globalisht, atëherë situata pandemike do të vazhdojë edhe tutje, sepse nuk ka dalje nga pandemia pa një vaksinim të përgjithshëm të popullatës së botës. Në fillim është aluduar se diku 70 për qind e popullatës mjafton të vaksinohet, mirëpo hulumtimet e fundit tregojnë se 85 për qind e lart vaksinimi me dy doza i popullatës globale krijon një situatë shumë më të menaxhueshme pandemike, bile edhe dalje nga pandemia.

Mirëpo, nëse vazhdojmë në një situatë të tillë ku disa shtete i kanë dozat e treta dhe i konsiderojnë dozat e katërta, ndërsa shtetet në Afrikë nuk e kanë marrë ende dozën e parë, atëherë të supozojmë se po e luftojmë pandeminë, është e pabazuar.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Kosova, sipas trendit aktual, do të arrijë vaksinimin e popullatës me të gjitha dozat e nevojshme për luftim optimal të pandemisë?

Hana Xhemajli: Patjetër, unë besoj që në fillim të pandemisë, ne kemi filluar shumë vonë, por prapë jemi një ndër shtetet më të suksesshme në vaksinim. Mirëpo, neve po na pret një problem tjetër, që nuk është vetëm problem i Kosovës: Vaksinimi i fëmijëve. Me moshat 18-vjeçare e lart ne kemi një vaksinim të mirë dhe nëse vazhdojmë në mënyrë të këtillë nuk do të kemi probleme fare. Mirëpo, i frikësohem pak vaksinimit të fëmijëve për të cilën ka rezistencë të madhe, edhe më shumë se sa për vaksinimin e të rriturve.

Radio Evropa e Lirë: Sa është i rëndësishëm vaksinimi i fëmijëve në luftimin e pandemisë?

Hana Xhemajli: Edhe pse shtetet nuk janë të gjitha njëzëri, unë besoj që situata pandemike nuk mund të luftohet pa e vaksinuar [gjithë popullsinë] Nëse më herët popullatë të vaksinueshme e kemi quajtur popullatën mbi 18 vjeç, tani popullatë e vaksinueshme janë të gjithë mbi 5 vjeç. Ne po mësojmë shumë rreth COVID-19 dhe varianteve të reja dhe për këtë arsye vaksinimi global i popullsisë është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo.

Radio Evropa e Lirë: Përveç vaksinës, në Evropë dhe ShBA ka nisur përdorimi i terapive kundër COVID-19, a e shihni duke lëvizur në këtë drejtim, luftimin e COVID-19?

Hana Xhemajli: Unë besoj që vaksina për një pjesë të madhe të botës do të jetë e pazëvendësueshme sepse është më e lirë për t’u blerë dhe është e qasshme për të gjithë. Nuk është e tepërt për t’u supozuar që ndoshta brenda vitit përveç vaksinës do të përdorim edhe barna për luftimin e COVID-19. Secila metodë që e lufton pandeminë besoj që është e mirëseardhur. Edhe nëse ne nuk kemi për momentin diçka të tillë, derisa kemi vaksina të mjaftueshme, besoj se do të jemi në rregull.

Radio Evropa e Lirë: Përpos problemeve tjera me kapacitete, Kosova po has në telashe me mungesë të stafit shëndetësor, që edhe po kërcënon me greva. A paraqet kjo rrezik për kolapsimin e sistemit në një valë eventuale të re të COVID-19?

Hana Xhemajli: Kjo nuk e prek vetëm kohën gjatë pandemisë, por është një problem, i cili na ballafaqon çdo ditë për çdo sëmundje tjetër. A mundet kjo të jetë problem gjatë pandemisë? Mund të jetë problem tejet i madh, sepse stafi ekzistues në kohën e tashme janë është lodhur e stërlodhur. Kështu që çdo eventualitet, çdo ndryshim që e ndalë punën e tyre do të jetë tejet i rrezikshëm për pacientin.

Për atë arsye unë gjithmonë apeloj te qytetarët që vaksinimi është mënyra më e mirë që t’i ikin situatës ku kanë nevojë për mjekë. Së paku që edhe nëse sëmuren nga COVID-19, të mund ta tejkalojnë me simptoma sa më të lehta sepse sistemi jonë shëndetësor dhe jo vetëm i joni, është tepër i brishtë. Unë e shoh këtë si rrezik të madh jo vetëm për COVID-19, por në përgjithësi situatën shëndetësore, me të cilën ballafaqohet pacienti në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Një debat i madh lidhur me atë se a duhet të bëhet apo jo vaksinimi i detyrueshëm po vazhdon të mbizotërojë në shumë vende të botës, ku qëndroni ju në këtë rrafsh?

Hana Xhemajli: Shpesh e kam menduar se si do t’i përgjigjesha një pyetjeje të tillë. Një gjë mund ta them që ne duhet të fokusohemi që popullatën e vaksinuar mos ta dënojmë ashtu siç e dënojmë popullatën e pavaksinuar. Ndoshta obligim apo detyrim është një fjalë tejet e madhe sepse biem ndesh me shumë të drejta njerëzore, të cilat ne nuk po i diskutojmë në përditshmëri. Mirëpo, moslejimi i qytetarit të pavaksinuar që të ketë qasje në institucione publike apo institucione shoqërore apo çfarëdo qoftë, besoj që kjo duhet të forcohet më shumë.

Ndasia mes tyre [të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve] duhet të jetë më e madhe sepse nëse dikush nuk dëshiron të marrë vaksinën, nuk është i detyruar, mirëpo obligimi nënkupton që ai person nuk mund të udhëtojë. Mendoj se duhet shpenzuar më shumë kohë dhe mjete që popullatës së vaksinuar t’i thjeshtësohet jeta sa më shumë, sepse ata që i kanë marrë dy dozat e kanë përmbushur obligimin jo vetëm individual, por edhe asaj që i shërben shëndetit publik. Ky diskutim besoj që duhet të jetë shumë më i hapur dhe të ketë persona që merren me këtë jo vetëm nga aspekti shëndetësor, por edhe të drejtat e njeriut.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë mësimet që Kosova duhet t’i nxjerrë për gatishmërinë në luftimin e ndonjë sëmundje tjetër infektive që mund të përhapet në të ardhmen?

Hana Xhemajli: Kosova duhet të mësojë që të fokusohet në rregullimin e sistemit shëndetësor te ne, që është fokusi dhe duhet të jetë prioriteti. COVID-19 ndoshta mund të jetë një paralajmërim për atë se çfarë mund të ndodhë më e madhe. Pandemia nuk duhet të jetë e vetmja arsyeja pse ne kthehemi dhe i kushtojmë një vëmendje të shkurtër sistemit shëndetësor. Nëse vazhdojmë me diçka të tillë, atëherë mjekët do të ikin. Edhe mjekët në ardhje e studentët, infermierë e të tjerë do të ikin nga Kosova sepse kërkojnë kushte më të mira të punës.

Nuk është vetëm paga problem. Duhet edhe koordinim shumë më i mirë në mes të dikastereve, duhet të ketë fushata vetëdijësuese, duhet shpjeguar rëndësinë e vaksinimit të popullatës në përgjithësi. Mësime ka tejet shumë, por shpresoj që nuk bien në vesh të shurdhër.

/GazetaSinjali/