image "Krim i organizuar me bazë në veri të Kosovës"/ Për çka tjetër akuzohet banda e Veselinoviqit? - Sinjali

“Krim i organizuar me bazë në veri të Kosovës”/ Për çka tjetër akuzohet banda e Veselinoviqit?

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot për vendosjen e sanksioneve nga ShBA për anëtarë të bandës së krimit të organizuar me bazë në veri të Kosovës.

Anëtarët kryesorë, të cilët u futën në listën e zezë, janë Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas komunikatës së Departamentit Amerikan të Thesarit, Veselinoviq është një nga figurat e korruptuara më famëkeqe në Kosovë.

Veselinoviq, sipas Amerikës, është i përfshirë në një skemë të madhe ryshfeti me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe për lehtësimin e trafikimit të paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve e armëve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Në komunikatë thuhet se ky grup në vitin 2017 dhe 2019 për lejimin e kontrabandës të zyrtarëve kosovarë, ka kërkuar ryshfet.

Sipas Thesarit, Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij, Zharko Jovan Veselinoviq në vitin 2017 kanë pasur marrëveshje me politikanë për të ndihmuar një parti t’i fitonte zgjedhjet dhe i kanë përkrahur financiarisht disa kandidatë. Sipas marrëveshjes, në këmbim, vëllezërit Veselinoviq do të merrnin kontrollin në zonat e caktuara për të ushtruar aktivitetin e jashtëligjshëm pa ndërhyrjen e autoriteteve serbe.

Ndërsa në fundin e vitit 2017, Veselinoviq dhe Zharko kanë bërë donacion në arsim si rrugë për pastrim të parave që buronin nga ‘sipërmarrja e tyre e kriminale’, shkruan Sinjali.

Veselinoviq dhe grupi i tij u paditën për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e liderit të partisë politike opozitare, Oliver Ivanoviq, në janar 2018. 

Rreth këtij vendimi të Thesarit, ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se do të hetohet nëse ka akuza serioze ndaj Veselinoviqit dhe Radojçiqit.

Ata i akuzuan fillimisht për tregti ilegale. Në fund do t’i akuzojnë që nuk po e respektojnë kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, por kjo nuk është asgjë e re. Nëse ekzistojnë akuza serioze, organet tona shtetërore do t’i hetojnë”, tha Vuçiq.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin