Ministria e Infrastrukturës ka vendosur kufizimin e qarkullimit të automjeteve të rënda gjatë sezonit veror, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas njoftimit të ministrit në detyrë, Dimal Basha, vendimi vlen për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Basha ka bërë të ditur se kufizimet do të aplikohen varësisht nga temperaturat e larta.
Nëpër autostrada, qarkullimi i këtyre automjeteve kufizohet kur temperatura kalon mbi 32 gradë Celsius, në intervalin kohor nga ora 11:00 deri në 17:30.
Ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, kufizimi do të zbatohet kur temperaturat arrijnë 35 gradë Celsius e më lart, po në të njëjtin interval kohor.
Sipas vendimit, Ministria e Infrastrukturës do të bëjë çdo ditë publikimin e masave që do të vlejnë për ditën pasuese.
“Ky vendim synon mbrojtjen e rrugëve nga dëmtimet që shkaktohen nga temperaturat e larta dhe ngarkesat e rënda, duke garantuar njëkohësisht siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në trafik”, ka shkruar Basha në Facebook.
Ministri në detyrë ka thënë se vendimi është marrë “me qëllim të mbrojtjes së infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta dhe rritjes së sigurisë në komunikacion”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!