Në orët e vona të natës së mbrëmshme, një polic dyshohet se u plagos me armë nga kolegu i tij. Ndonëse u dërgua në Emergjencë, ai nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve të marra.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se polici që vdiq mbrëmë në Zllatar të Prishtinës është Lirim Haxholli.
Por si ndodhi ngjarja?
Sipas këtyre burimeve gjithçka ndodhi në një villë të Zllatarit, ku rreth 15 policë u mbledhën për të festuar për qejf.
Festa u kthye në tragjedi, ku pas përfundimit të ndejës njëri nga zyrtarët policorë dyshohet se aksidentalisht e shkrepi armën e zjarrit dhe plagosi policin Haxholli.
Lirimi u dërgua në Emergjencën e QKUK-së, por nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve dhe vdiq.
Sinjali po ashtu mëson se viktima dhe i dyshuari, ishin të gjeneratës së njëjtë.
Ndërsa në oborrin e QKUK-së mbrëmë ka pasur forca të shtuara të Policisë, mirëpo këta të fundit ende nuk janë deklaruar për media.