image Krasniqi takon Bashën: Bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri mbetet prioritet i prioriteteve

Shqipëri

Krasniqi takon Bashën: Bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri mbetet prioritet i prioriteteve

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, ka takuar sot kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri dhe thellimin e bashkëpunimit mes PDK-së dhe PD-së.

Krasniqi u shpreh i kënaqur për mikpritjen dhe falënderoi Bashën për gatishmërinë e tij për përforcimin bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy partive që i përkasin boshtit të njëjtë ideologjik.

“Vërtetë është kënaqësi që ditën e dytë të vizitës sime të parë zyrtare si kryetar i PDK-së ta filloj në Partinë Demokratike këtu në Shqipëri me mikun tim dhe liderin e opozitës Lulzim Basha, jo vetëm si dy liderë të opozitës në dy vendet tona, por edhe si dy udhëheqës partish që kanë pasur bashkëpunim për shumë vite edhe bilateralisht, por edhe në forume ndërkombëtare si dy parti që i përkasin boshtit të njëjtë ideologjik të qendrës së djathtë”, tha ai.

Lideri i PDK-së theksoi se përtej kësaj, në takim u diskutua në detaje për tema të brengave të përbashkëta.

“Kosova dhe Shqipëria kanë shumë sfera ku ka nevojë të intensifikojnë bashkëpunimin që të rrisin koordinimin edhe institucional dhe gjithmonë ka qenë dhe është shembull i mirë se pavarësisht se a jemi në qeveri apo në opozitë në vendet tona, ne bashkëpunimin Kosovë – Shqipëri, Shqipëri – Kosovë e kemi të padiskutueshëm dhe prioritet të prioriteteve, andaj gëzohem që edhe si dy udhëheqës të partive kryesore opozitare në Kosovë dhe Shqipëri e vlerësojmë që obligimet dhe përgjegjësitë tona për të thelluar këtë bashkëpunim ndërmjet shteteve tona janë detyra dhe përgjegjësi të përbashkëta”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i PD-së, Lulzim Basha përgëzoi PDK-në për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur në procesin e formimit të shtetit të Kosovës dhe për rolin që vazhdon të luajë si opozitë konstruktive në shërbim të interesave të qytetarëve të Kosovës, si dhe i uroi punë të mbarë kryetarit Memli Krasniqi si përfaqësues i një brezi të ri të lidershipit dhe si shembull i mirë për tërë rininë shqiptare se është koha për të mbajtur mbi supe barrën që sjellë politika.

“Natyrisht, folëm për zhvillimet e fundit, në veçanti sa i takon zhvillimeve të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku PDK qëndron fuqimisht në të njëjtin pozicion sa i takon objektivit të këtij dialogu, që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve dhe në veçanti ndan pikëpamjen se rikthimi i një koordinimi të fuqishëm mes shteteve të BE dhe SHBA është një shancë e mirë për të shtyer përpara këtë dialog dhe për të tejkaluar pengesat, ku sigurisht një barrë e madhe i përket BE-së dhe 5 vendeve anëtare, njohja prej të cilave e realitetit të Republikës së Kosovës do të shmangë përfundimisht çdo skenar si ato në Bosnje Hercegovinë që kërcënojnë arkitekturën e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, por edhe vetë paqen dhe stabilitetin europian”, tha ai.

Basha tha se diskutuan edhe rreth  domosdoshmërisë së forcimit të luftës kundër korrupsionit nga institucionet e pavarura dhe të gjitha këto në funksion të mirëqenies qytetare, sepse armiku kryesor i mirëqenies qytetare si në Shqipëri si në Kosovë mbeten institucionet e dobëta dhe lufta kundër korrupsionit, e cila duhet të jetë prioritet i secilit politikan nga cilado pozitë.

/GazetaSinjali/