image Krasniqi pas takimit me Escobar në DASh: Sanksionimi i qeveritarëve për të mos udhëtuar në SHBA, është një alarm

Politikë

Krasniqi pas takimit me Escobar në DASh: Sanksionimi i qeveritarëve për të mos udhëtuar në SHBA, është një alarm

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur për vizitën e tij disa ditore që është duke e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Krasniqi ka thënë se vizita e tij nuk ndërlidhet me faktin që disa ministrave të qeverisë dhe zyrtarëve të shtetit u është pamundësuar vizita në Washington.

“Më vjen keq që Kosova është në një situatë të tillë nuk kemi pas raste të tilla më herët është e paprecedentë që të sanksionohen në këtë mënyrë ministrat e Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarë të shtetit, është për keqardhje, besoj se është një alarm që do të duhej të merrej seriozisht në Kosovë”, ka thënë Krasniqi në Klan Kosova.

“Vizita ime këtu nuk ndërlidhet doemos me këtë. Por është vizitë e rëndësishme për faktin që unë si udhëheqës i opozitës më takon që të vijë dhe të flas për Kosovën, ashtu siç u takon atyre në qeveri”.

Krasniqi ka treguar se cili ishte qëllimi i vizitës së tij në ShBA.

“Dua të ju them se qëllimi i kësaj vizite nuk është që ne të kritikojmë qeverinë tonë, por që të flasim për nevojën tonë që Kosova të ketë mbështetje amerikane, edhe kur qeveria nuk di ta bëjë një gjë të tillë”.

“Në këtë kuadër vizita ime ka qenë e planifikuar dhe të gjitha këto takime i kam shfrytëzuar që të flas për nevojën e mbështetjen amerikane për Kosovën, për ndihmën që duhet shtuar në proceset integruese, veçanërisht atyre euroatlantike, por edhe për faktin se kemi vërtetë nevojë për një momentum të ri në raportet tona që e ndihmon Kosovë për të kaluar nga statusquoja në të cilën jemi sot”, ka thënë Krasniqi.