image Krasniqi: Mungesa e perspektivës po zbraz Kosovën, Kurti s'mund të abstenojë nga përgjegjësia

Politikë

Krasniqi: Mungesa e perspektivës po zbraz Kosovën, Kurti s’mund të abstenojë nga përgjegjësia

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas disa takimeve që ka pasur me të rinjtë e Kosovës në “javën e pavarësisë”, ka thënë se shteti nuk mund të abstenojë nga përgjegjësia që ka ndaj tyre.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se përballë këtyre kërkesave të drejta e të duhura të të rinjve e të rejave të Kosovës “duhet diçka shumë më shumë sesa reflektimi”.

“Shteti ynë nuk mund të abstenojë nga përgjegjësia që ka ndaj tyre. Fatkeqësisht, nën qeverisjen e Albin Kurtit, jo vetëm që po shohim abstenim për adresimin e këtyre nevoja, por nuk po shohim as përpjekje. Krejt përkundrazi. Qytetarët tanë dhe gjeneratat e reja, si ajo e periudhës së pavarësisë, nuk mund të shpresojnë në të ardhme më të mirë, përderisa një Ambasador si Martin Berishaj, që del se është pjesë e skandaleve ndërkombëtare të mafisë energjetike rajonale, jo vetëm që nuk shkarkohet, por merret në mbrojte nga pushteti. Kosova, nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa pushtetarët strehojnë protagonistë të aferave mafioze”.

Kreu i PDK-së është shprehur se Kosova nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa inflacioni iu bie barrë familjeve kosovare.

“Nuk mund të ketë të ardhme të sigurt e të qëndrueshme për një vend si Kosova, që ka potencial për të eksportuar energji, e nga keqqeverisja përfundon në terr, ndërsa qytetarët paguajnë faturat më të shtrenjta në rajon. Nuk mund të ketë të ardhme të qëndrueshme e as demokratike, në një vend ku pushteti paragjykon drejtësinë dhe sulmon mediat e lira. Kjo mungesë perspektive, si pasojë e një pushteti të paaftë, sot është duke e zbrazur Kosovën”, thotë Krasniqi.

Krasniqi shprehet se kjo nuk është e ardhmja që qytetarët e Kosovës duan.

“E kjo nuk është e ardhmja që qytetarët e duan për atdheun e tyre dhe as e ardhmja për të cilën ata kanë sakrifikuar. E ardhmja e Kosovës duhet të jetë një tregim krejtësisht ndryshe. Jetësimin e asaj të ardhmeje duhet ta nisim tani dhe pa vonesë, së bashku, me dashuri e përkushtim për Kosovën e fëmijëve tanë”.

/GazetaSinjali/