Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur dje në Podujevë dhe Mitrovicë Veriore, nuk janë publikuar ende, shkruan Gazeta Sinjali.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Gazetën Sinjali ka thënë se shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre do të bëhet pas përfundimit të të gjitha procedurave të parapara me ligj.
Sipas tij, ky proces pritet të përfundojë gjatë ditëve në vijim.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpallë rezultat përfundimtare të një procesi zgjedhor pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara me ligj këtu në QNR siç është pra numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta, të votuesve të kësaj kategorie pra që kanë qenë të prekur me Covid-19 si dhe të votave me postë. Pasi që të përfundojë e të kompletohet i gjithë procesi, KQZ-ja do të dal me rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe po besojmë që gjatë ditëve në vijim do të arrihet kjo”, tha Elezi.
Po ashtu, ai bëri të ditur se rreth 500 qytetarë kanë kontaktuar ekipet lëvizëse të KQZ-së për të kryer votimin nga shtëpia, pasi që kanë qenë të infektuar me COVID-19, ndërkaq vetëm 170 prej tyre kanë votuar përmes këtyre ekipeve./Gazeta Sinjali/