Procesi i rinumërimit të votave pritet të përfundojë më herët se që ishte planifikuar.
Komisioni Qendro Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se rinumërimi i më shumë se 1400 vendovotimeve ka gjasa të përfundojë të dielën.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha s se i gjithë procesi ishte planifikuar të përfundojë të hënën e ardhshme, por në bazë të dinamikës së deritanishme, ky proces pritet të përfundojë një ditë më herët.
“Besojmë se më shpejt sesa kemi planifikuar po arrijmë ta përfundojmë rinumërimin. Ka qenë e planifikuar që deri të hënën të përfundojë i gjithë ky proces. Sot mund të themi se gjasat janë shumë reale që edhe të dielën të përmbyllet rinumërimi i më shumë se 1400 vendvotimeve për të cilat ka vendosur PZAP-i. Duke qenë se kanë mbetur për t’u rinumëruar 438 vendvotime pasi deri të mërkurën në mesnatë janë rinumëruar 969 vendvotime apo 68.87%, po besojmë se procesi i rinumërimit mund të përmbyllet një ditë më herët, të dielën”, ka thënë Elezi.
Ndryshe, procesi i rinumërimit ka filluar pasditen e 13 nëntorit dhe brenda 7.5 ditësh mesatarja e vendvotimeve të rinumëruara brenda një dite pune, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë, është rreth 130 vendvotime./Gazeta Sinjali/