Kanë kaluar një javë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ndërkaq rezultatet përfundimtare nuk janë shpallur ende nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet shumë shpejt.
Ai ka lënë të nënkuptohet që kjo do të ndodh brenda dy-tri ditëve të ardhshme.
“KQZ-ja do të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave pasi të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, që sipas planifikimit tonë do të numërohen të hënën, si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme. Në vitin 2017, KQZ-së i janë dashur 9 ditë për të shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të parë Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe 3 ditë të tjera për t’i certifikuar ato”, u shpreh ai gjatë konferencës.
Për fushatën zgjedhore të raundit të dytë, KQZ ka vendosur që të jetë pesë ditë.
“KQZ-ja ka vendosur për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore të raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Janë 5 ditë në dispozicion të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për të zhvilluar aktivitetet në kuadër të fushatës zgjedhore, duke filluar nga 8 nëntori deri më 12 nëntor”, ka thënë Elezi./GazetaSinjali/