image KQZ: Presidentja ka kërkuar emrat që do t’i zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe

Politikë

KQZ: Presidentja ka kërkuar emrat që do t’i zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga presidentja Osmani për rekomandim të personave të radhës për të zëvendësuar deputetët nga radhët e Listës Serbe.

Këtë për Gazetën Sinjali ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas tij, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar emrat e personave të ligjshëm për të plotësuar vendet në Kuvendin Republikës së Kosovës.

“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, tha Elezi për Sinjalin.

Deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me deputetë të rinj nga i njëjti subjekt politik.

Më 5 nëntor Lista Serbe ka bërë të ditur se zyrtarët serb do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës.

Këto veprime kanë ardhur pasi qeveria e Kosovës filloi të zbatoi planin e saj prej tri fazash për regjistrimin e veturave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës.

Më 1 nëntor Policia e Kosovës ka nisur të lëshojë letra qortuese për secilin shofer makine me targa të paligjshme serbe, që hyn apo del nga territori i Kosovës drejt Serbisë.

Llogaritet se janë rreth 10.000 automjete me targa që Kosova i konsideron të paligjshme dhe ato qarkullojnë kryesisht në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Plani i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e tyre me targa RKS, do të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

/GazetaSinjali/