Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar edhe 392 pako me fletëvotime nga diaspora, gati dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka thënë se lidhur me pakot në fjalë, është informuar edhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Mund ta konfirmoj se KQZ-ja i ka kthyer përgjigje PZAP-së, ku i kemi shpjeguar si qëndron puna me këto pako që janë pranuar më 12 nëntor. Nuk kemi diçka tjetër tani”, ka thënë Elezi.
Kurse nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mulë Desku ka bërë të ditur se KQZ ka kërkuar që të numërohen pakot në fjalë, pavarësisht se ato kanë ardhur me vonesë.
Sipas Deskut, vendimi rreth këtyre fletëvotimeve pritet të merret brenda 72 orëve.
“Nuk kemi ende qëndrim për ato vota sepse tek mbrëmë ka ardhur ankesa në ora 17:30. Ne kemi ankesë ku ata kërkojnë të numërohen këto pako të fletëvotimeve. Tash jemi në procedurë, paneli brenda 72 orëve merr vendim dhe do të vendosim sa më parë që është e mundur rreth këtyre fletëvotimeve” , ka thënë Desku.
“Ankesën i referohet atyre pakove dhe kërkohet që në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Supreme për pranimin dhe numërimin e fletëvotimeve të mëhershme që kanë ardhur nga diaspora – mbi atë bazë po kërkohet që ta numërohen edhe këto 392 pako”, ka sqaruar Desku.
Rinumërimi i 1400 vendovotimeve po vazhdon ende në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. /Gazeta Sinjali/