Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gabuar gjatë klasifikimit të shpenzimeve për vitin 2019. Në kuadër të pagesave për investime kapitale janë shpenzuar 11,149 euro për mallra dhe shërbime, shkruan Gazeta Sinjali.
Si rrjedhojë kjo ndikon në prezantim jo të drejtë të Pasqyrave Vjetore Financiare. Kështu ka bërë të ditur Zyra Kombëtare e Auditimit.
Sipas raportit vjetor, në kuadër të kontratës për përkrahje teknike në KQZ është vërejtur se janë përfshirë edhe shpenzime për shërbime të internetit dhe sigurimin e 920 kartelave telefonike.
“Kontrata “Modifikimi7 dhe përkrahja teknike për softuerin e operimit të QNRsë’’ në vlerë prej 134,730€ ishte buxhetuar dhe shpenzuar nga kategoria e investimeve kapitale.- Megjithatë ne kemi vërejtur se në kuadër të kësaj kontrate ishin përfshirë edhe disa shpenzime prej 11,149€ që kishin të bënin me shërbime të internetit – sigurimi i 920 SIM kartelave me internet aktiv. Ky shpenzim do të duhej të paguhej nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Kjo pagesë ishte regjistruar si e plotë në regjistrin e pasurive si pasuri kapitale”, thuhet në raportin vjetor të ZKA-së.
Ky klasifikim joadekuat i shpenzimeve, sipas zyrtarëve të KQZ-së nuk është vërejtur për shkak të volumit të madh të punëve si rezultat i zgjedhjeve të parakohshme.
Por, sipas auditorit, klasifikimi dhe pagesa e shpenzimeve nga kategoria ekonomike jo adekuate ndikon në mbivlerësimin/nënvlerësimin e kategorive përkatëse të shpenzimeve dhe në mbivlerësimin e pasurive.
Sipas nenit 18 pikës 3 (Inicimi i shpenzimeve) të Rregullës financiare nr. 01/2013 shpenzimet duhet të jenë në kode adekuate, të përcaktuara me planin kontabël. Po ashtu, neni 11 i UA 19/2009 për planin kontabël kërkon nga ZKA dhe ZKF e organizatave buxhetore që të sigurojnë që të gjitha transaksionet janë regjistruar në SIMFK sipas strukturës së planit kontabël dhe klasifikimeve të përcaktuara me këtë UA. /GazetaSinjali/