Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që të hënën, më 17 dhjetor, t’i kthejë përgjigje të tre kryesuesve të kuvendeve komunale për Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.
Ky lajm është bërë i dituar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Gjatë ditës së hënë do t’i përcjellim përgjigjet zyrtare lidhur me dy pyetjet që kanë parashtruar në adresë të KQZ-së të tre kryesuesit e kuvendeve komunale për Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Sigurisht se përmbajtjen e përgjigjes do ta bëjmë publike”, ka thënë Elezi për KosovaPress.
Edhe pse është bërë e ditur se një grup i ngjashëm nismëtar është paraqitur edhe në komunën e Zveçanit, Elezi ka thënë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë të ngjashme. Në media është raportuar se për dallim nga kryesuesit e tri kuvendeve Komunale, kryesuesja e kuvendit komunal të Zveçanit, Selvete Kelmendi, ka refuzuar kërkesën e grupit nismëtar, me arsyetimin se nuk është në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MAPL-së për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Të tre kryesuesit, në shkresat e tyre të ndara drejtuar KQZ-së gjatë javës, kërkuan nga ky institucion që t’i ofrojë informatat zyrtare se a janë votues të komunave përkatëse anëtarët e 3 grupeve nismëtare, të cilët kanë kërkuar që të fillojnë procedurën për mbledhjen e 20% të nënshkrimeve të votuesve në komunat e tyre, si parakusht për të mundësuar kalimin në fazën tjetër – organizimin e votimit për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Sipas të dhënave të KQZ-së, secili nga këto grupe nismëtare kanë nga 3 anëtarë në përbërjen e tyre.
Po ashtu, KQZ pritet që t’i kthejë përgjigje këtyre Kryesuesve, për numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%.
Sipas udhëzimit administrativ të MAPL-së për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, “grupi nismëtar, brenda 30 ditëve nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve. Ky afat mund të shtyhet vetëm një herë, me kërkesë të grupit nismëtar edhe për 15 ditë tjera”.
Sipas pikës 7 të nenit 6 të udhëzimit administrativ, nëse pas të gjitha afateve, nuk arrihet të plotësohet numri i nënshkrimeve prej së paku 20% të votuesve të regjistruar, KQZ konstaton se kërkesa nuk është mbështetur dhe iniciativa konsiderohet e pavlefshme.
Por, sipas pikës 9 të të njëjtit nen, në rast se konstatohet se kërkesa është e mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.