Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Ky komision gjatë mbledhjes ka miratuar planin operacional për organizimin e zgjedhjeve, derisa ka publikuar edhe disa nga aktivitetet e parapara me këtë plan operacional.
Buxheti i aprovuar është 556 mijë e 482 mijë euro dhe sipas KQZ-së me këtë buxhet planifikohen të dy raundet e zgjedhjeve.
Sot Lista Serbe njoftoi se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 15 nëntor 2022 – Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan, që do të mbahen më datë 18 dhjetor 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhje për të filluar me përgatitjet për organizimin e tyre.
Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendi për miratimin e planit operacional për organizimin e zgjedhjeve. Disa nga aktivitetet kryesore të parapara me këtë plan operacional janë si në vijim:
a) Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 21 nëntor 2022;
b) Afati për deklarim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 17 nëntor 2022;
c) Afati për deklarim të partive politike për mospjesëmarrje në zgjedhje fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 19 nëntor 2022;
d) Afati për paraqitjen e përmirësimeve/korrigjimeve nga subjektet politike fillon më 25 nëntor dhe përfundon më 26 nëntor 2022;
e) Afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve është më 26 nëntor 2022;
f) Afati për tërheqje të subjekteve politike fillon më 4 dhjetor dhe përfundon më 5 dhjetor 2022;
g) Data e mbajtjes së shortit për renditjen në fletëvotim të kandidatëve dhe subjekteve politike është më 7 dhjetor 2022;
h) Afati për caktimin e kufizimeve të shpenzimeve për fushatë zgjedhore fillon më 15 nëntor dhe mbaron më 19 nëntor 2022;
i) Fushata zgjedhore si dhe afatet për tubimet zgjedhore fillojnë më 8 dhjetor dhe përfundon më 16 dhjetor 2022;
j) Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhgueseve të OJQ-ve vendore, ndërkombëtare dhe mediave fillon më 15 nëntor 2022 dhe përfundon më 13 dhjetor 2022;
k) Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike fillon më 27 nëntor dhe përfundon më 12 dhjetor 2022;
l) Emërimi i Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 24 nëntor 2022;
m) Publikimi i listës së qendrave të votimit bëhet jo më vonë se 7 dhjetor 2022;
n) Afati për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës fillon më 29 nëntor dhe përfundon më 4 dhjetor 2022;
o) Afati për kundërshtimin dhe konfirmimin e listës së votuesve fillon më 2 dhjetor dhe përfundon më 4 dhjetor 2022;
p) Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës fillon më 26 nëntor dhe përfundon më 30 nëntor 2022;
q) Afati për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve bëhet më 8 dhjetor 2022;
r) Periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës fillon më 9 dhjetor dhe përfundon më 16 dhjetor 2022;
s) Aplikimi për regjistrimin e votuesve të ngujuar në shtëpi fillon 26 nëntor dhe përfundon më 1 dhjetor 2022;
t) Afati për regjistrimin e votuesve me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion dhe votuesve me rrethana të veçanta fillon me 9 dhjetor dhe përfundon më 13 dhjetor 2022;
Në këtë mbledhje, KQZ-ja miratoi planin e buxhetit për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Buxheti i aprovuar nga KQZ-ja është në vlerën: 556 mijë e 482 euro. Ashtu siç kërkohet me ligj, me këtë buxhet planifikohen të dy raundet e zgjedhjeve.