Ka përfunduar periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi, tha se gatë kësaj periudhe (15 nëntor – 25 nëntor 2022), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 6 kërkesa për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit.
Ai tregoi se Iniciativa Qytetare Mitrovica, ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.
Partia Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Partia Kosovskih Srba, ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Leposaviqit.
Një kandidat i pavarur.
Lëvizja Vetëvendosje, ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok;
Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak, ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.
“Pas pranimit të aplikacioneve, me qëllim të verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ-ja do t’i drejtohet disa institucioneve të ndryshme, në këtë rast Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrisë së Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Jashtme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë si dhe Doganës së Kosovës”, tha Elezi.
Më tej zëdhënësi i KQZ-së theksoi se neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme tregon se kush mund të jetë kandidat i certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, përveç disa rasteve, pra: nëse është gjykatës apo prokuror; pjesëtar i FSK-së, doganës, i AKI-së, përfaqësues diplomatik apo pjesëtar i PZAP-it.
Elezi tha se gjithashtu, KQZ-ja do të komunikoj edhe më Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të verifikuar nëse ndonjë nga kandidatët është i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit, apo me vendim të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat.
“Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve do të ndodhë deri më 28 nëntor”, tha Elezi.