image KQZ-ja s’ka buxhet rezervë për zgjedhjet eventuale në veri

Politikë

KQZ-ja s’ka buxhet rezervë për zgjedhjet eventuale në veri

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në çdo kohë që i kërkohet nga institucionet respektive do të bëjë organizimin e zgjedhjeve si ato në nivelin lokal dhe qendror, kështu është shprehur zëdhënësi Valmir Elezi.

Sipas tij, KQZ-ja është e gatshme të përmbushë detyrimin Kushtetues dhe ligjor për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga presidentja Vjosa Osmani.

Duke iu referuar mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve në veri, pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave në kundërshtim të vendimit për targat, Elezi ka sqaruar se cilat janë hapat që duhet të ndërmarrin.

Fillimisht ai foli për planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Por sipas tij, ky institucion nuk ka buxhet rezervë për këto zgjedhje, prandaj edhe duhet që t’i kërkojnë mjete Qeverisë nëse vendoset që ato të mbahen.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet Kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga Presidentja e Republikës së Kosovës”.

“KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve për të filluar me përgatitjet intensive të tyre. Si në çdo proces tjetër zgjedhor, KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve”.

“Këto janë zgjedhje të paplanifikuara, prandaj KQZ-ja nuk ka buxhet. Në raste të tilla, sikurse në të kaluarën, KQZ-ja përgatit kërkesën për Qeverinë e Kosovës me shumën e planifikuar”, përfundoi ai, raporton EO.

/GazetaSinjali/