Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se fushatë zgjedhore do të zgjasë 30 ditë.
Radoniqi tha se kjo periudhë e fushatës zgjedhore është ligjore dhe nuk mund të ndryshohet përkundër pandemisë.
“Periudha e fushatës zgjedhore për këto zgjedhje të rregullta është 30 ditë, dhe kjo periudhë është ligjore dhe nuk mund të ndryshohet përkundër rrethanave të krijuara”, tha ai.
Radoniqi u bëri thirrje subjekteve politike që t’i respektojnë masat kufizuese ndaj COVID-19.
“Gjatë kësaj periudhe t’i përmbahen ligjit dhe masave, gjatë kësaj kohe duke pasur parasysh situatën me coronavirus, ju bëj thirrje subjekteve politike që të respektojnë masat dhe kufizimet e vendosura nga Qeveria. Shëndeti i qytetarëve tonë është i rëndësisë parësore dhe të gjithë ne si institucione e po ashtu ju si subjekte politike, kemi përgjegjësi në respektimin e këtyre masave dhe kufizimeve me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve tonë”, shtoi ai.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.