image KQZ: 160 kandidatë të 30 subjekteve politike kanë probleme me ligjin

Politikë

KQZ: 160 kandidatë të 30 subjekteve politike kanë probleme me ligjin

news image

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media njoftoi se 5 mijë e 200 kandidatëve që kandidojnë për kryetarë komune apo asambleist, 160 prej tyre nuk mund të kandidojnë për shkak të veprave penale që janë shpallur fajtorë në tri vitet e fundit nga Gjykata.

“Janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë e 200 kandidatësh, të cilët kanë kërkuar të certifikohen qoftë në zgjedhjet për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, por që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit. Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, ka filluar t’i njoftojë subjektet politike për përgjigjet e institucionevemë dhe të njëjtave do t’iu japë mundësi që të bëjnë zëvëndësimet e këtyre personave me kandidatë të tjerë” tha Elezi.

Ai tha se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për të marrë pjesë në zgjedhje kanë kandidatë që gjatë tri vjetëve të fundit kanë vendim përfundimar për vepër penale, shkruan Gazeta Sinjali.

“KQZ ka pranuar përgjigje nga institucionet të ndryshme lidhur me përshtatshmërinë po aftësinë e kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme – përgjigje kanë dërguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Dogana e Kosovës”.

“Duke u mbështetur në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë kanidatë të cilët nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pikën ‘q’, sipas të cilës kandidat nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”, tha Elezi.

Elezi gjithashtu njoftoi se në rast të mosvertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

“Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”. /GazetaSinjali/