Shtetasit e Gjermanisë nuk do të mund të hyjnë në Kosovë pa e poseduar një test PCR-negativ, pasi që ditët e fundit në këtë shtet është rritur numri i rasteve aktive me COVID-19.
Përveç Gjermanisë, listës i janë shtuar edhe tri shtete tjera, duke bërë kështu që numri i vendeve me rrezik të lartë të infektimit të shkojë në 24.
Bazuar në përditësimet e fundit, shtetet të cilat i konsideron Kosova me rrezik të lartë të infektimit, janë: Franca, Spanja, Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda, Çekia, Polonia, Rumania, Portugalia, Austria, Hungaria, Irlanda, Sllovakia, Danimarka, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Luksemburgu, Malta, Islanda, Qiproja dhe Lihtenshtajni.
Të gjitha këto shtete që llogariten si me rrezikshmëri të lartë kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100 mijë banorë.
Ndërsa, shtetet, banorët e së cilave lejohen të hyjnë në vend pa e poseduar një test të tillë janë: Suedia, Greqia, Norvegjia, Finlanda, Latvia dhe Estonia.
Se si vendoset që një shtet ka rrezik të lartë të infektimit, ka dhënë detaje Ministria e Shëndetësisë.
Ky institucion ka deklaruar se Kosova vepron në bazë të listës së publikuar në web-faqen e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), listë kjo që përditësohet vazhdimisht.
“Lista është e publikuar në web-faqen e ECDC dhe në bazë të saj veprohet edhe në Kosovë. Me rrezik të lartë konsiderohen vendet që kanë mbi 120 raste të infektimeve në 100.000 banorë”, ka deklaruar Ministria./Gazeta Sinjali/