Albert Ahmeti jeton në Lagjen e Spitalit në Prishtinë. Ai dhe bashkëshortja e tij kanë një fëmijë katërmuajsh.
Për dallim prej viteve të kaluara, këtë vit familja Ahmeti thotë se do të jetë e obliguar që të shpenzojnë më shumë energji elektrike për të ngrohur banesën në të cilën jetojnë.
Ata nuk ka alternativë tjetër përpos ngrohjes me energji elektrike.
“Jetoj në një banesë përafërsisht 70 metra katrorë dhe atë e ngrohim me energji elektrike. E kemi një vajzë të vogël katërmuajshe tash dhe sigurisht është e domosdoshme ngrohje për të tërë banesën në mënyrë që të mos ftohet lehtë, pasi për fëmijë është shumë më problematike sezoni i dimrit”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.
Ahmeti thotë se vitin e kaluar gjatë sezonit së dimrit ka paguar mesatarisht 100 euro në muaj për energjinë e shpenzuar për ngrohje të banesës dhe ujit si dhe punë të tjera të shtëpisë.
Këtë vit shpreson të mos paguajë më shumë dhe thotë të jetë i shqetësuar nga paralajmërimi se mund të këtë rritje të çmimit të energjisë elektrike në muajt në vijim.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike është e papranueshme në këtë kohë duke e ditur se janë rritur dhe çmimet e produkteve ushqimore, pra produkteve bazë, e në anën tjetër nuk ka ndonjë lëvizje të pagave, po besoj në të gjitha sektorët në Kosovë”, shprehet Ahmeti.
Njëjtë si Ahmeti, në Kosovë vepron një numër i madh i qytetarëve.
Në mungesë të sistemeve të ngrohjes qendrore, në qytete dhe fshatra kryesisht ngrohja e shtëpive bëhet përmes djegies së drurit dhe qymyrit, si dhe përmes energjisë elektrike.
Bazuar në statistikat e institucioneve, amvisëritë janë shpenzuesit kryesorë të energjisë totale që prodhohet në Kosovë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 28 për qind e sasisë së përgjithshme të energjisë elektrike është konsumuar nga amvisëritë gjatë vitit 2020.
Kjo sasi kryesisht është shpenzuar për ngrohje të shtëpive, hapësirave të tjera, ngrohje të ujit si dhe në kuzhina.
Aktualisht çmimi i energjisë elektrike në vendet e Bashkimit Evropian është rritur për disa herë.
Të njëjtën situatë mund ta përjetojë edhe Kosova brenda pak muajsh dhe për këtë ka paralajmëruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka lutur qytetarët që të mos përdorin energjinë elektrike për të ngrohur shtëpitë gjatë sezonit të dimrit.
“Qytetarët duhet të kenë parasysh që të mos ngrohen me energji elektrike. Sa më shumë që konsumojmë do të rritet importi, e kjo do të ndikojë në çmimet në vitin tjetër gjatë sezonit të dimrit”, ka deklaruar më 20 tetor ministrja Rizvanolli në një debat të organizuar nga Lëvizja FOL.
Në shtetet e Bashkimit Evropian sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave (Eurostat), konsumi kryesor i energjisë është nga amvisëritë me qëllim të ngrohjes së hapësirave me rreth 64 për qind, 14 për qind e energjisë elektrike shpenzohet për ndriçim dhe pajisje të tjera elektrike, rreth 15 për qind për ngrohje të ujit, 6 për qind në kuzhina ndërsa pjesa mbetur për ngrohje dhe qëllime të tjera.
Ngrohtoret mbulojnë vetëm 3 për qind të kërkesës
Kosova, me rreth 2 milionë banorë, ka vetëm katër ngrohtore qendrore: Termokosin në Prishtinë, Ngrohtoren e qytetit në Gjakovë, Termomit në Mitrovicë Veriore si dhe Ngrohtorja në Zveçan.
Por, funksionale dhe që mbulojnë numër më të madh të shtëpive dhe objekteve janë vetëm dy: Termokosi në Prishtinë si dhe Ngrohtorja e qytetit në Gjakovë. Termokosi ka rreth 15 mijë klientë ndërkohë që Ngrohtorja e qytetit në Gjakovë ka rreth 2 mijë konsumatorë.
Në Mitrovicë Veriore dhe Zveçan, ngrohtoret janë tejet të vjetruara dhe edhe në kohën sa kanë funksionuar kanë pasur kapacitete të kufizuara.
Sistemet e ngrohjes qendrore nëpër qytetet e Kosovës mbulojnë shumë pak territor. Sipas Strategjisë së Kosovës për ngrohje, kapacitetet që kanë këto ngrohtore mbulojnë vetëm 3 për qind të kërkesës së përgjithshme për ngrohje në Kosovë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi 600 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në zona urbane të tjerët në zona rurale.
Ata që jetojnë në zona urbane, kryesisht në banesa kolektive nuk kanë alternativë tjetër të ngrohjes përpos me energji elektrike.
Pa izolime dhe pa pajisje efiçiente
Trimor Gjikokaj është inxhinier i ndërtimtarisë si dhe auditor i energjisë efiçiente.
Ai thotë se përqindja e madhe e energjisë elektrike që shpenzohet për të ngrohur shtëpitë është për shkak se numri më i madh i shtëpive janë ndërtuar pas përfundimit të luftës së vitit 1998-99.
Nevoja e madhe e qytetarëve për të pasur strehim pas shkatërrimit, sipas tij, ka bërë që të ndërtohen qindra-mijëra shtëpi pa kritere dhe me materiale të dobëta.
Këto shtëpi edhe sot, sipas Gjikokajt, janë humbësit më të mëdhenj të energjisë.
“Janë bërë ndërtime të shpejta dhe ka ardhur deri tek ideja që të përfundohet sa më shpejt. Nuk janë shikuar materialet izoluese, nuk janë analizuar pozicionet e caktuara të izolimeve dhe për fasadën e jashtme në fillim as që është diktuar”, thotë Gjikokaj.
Gjikokaj thotë se për dallim prej vendeve evropiane, efiçienca e energjisë si term ka nisur të diskutohet vetëm viteve të fundit në Kosovë.
Ndërtimi i shtëpive dhe objekteve të banimit, sipas tij, në të kaluarën është bërë pa ndonjë analizë për rritje të efiçencës së energjisë.
“Nuk kemi pasur investime në sisteme të ngrohjes. Gjithçka ka qenë sa më e thjeshtë, sa më e lirë por që shpenzimet e energjisë elektrike kanë qenë të mëdha si te ndriçimi si te ngrohja e ambientit e po ashtu edhe te ngrohja e ujit për sanitari dhe këto janë defektet të humbjeve të mëdha të energjisë”, thotë Gjikokaj.
Gjikokaj thotë se kostoja e izolimeve për të rritur efiçiencën e energjisë si dhe investimit në pajisje efiçente është i lartë në raport me standardin e qytetarëve në Kosovë.
Pajisjet efiçiente të shtrenjta për t’i blerë
Rinora Gojani nga Balkan Green Foundation thotë se qytetarët në Kosovë do të duhej të kishin lehtësira kur investojnë në pajisje efiçiente.
Ajo sugjeron që qeveria të krijojë programe përmes së cilave qytetarët do të mbështeten në investime që rrisin efiçiencën e energjisë.
“Qeveria e Kosovës duhet të ketë programe, të cilat, ndoshta vënë akciza për produktet të cilat nuk janë efiçiente, ndërsa të favorizojë produktet të cilat janë me performancë të mirë të efiçiencës së energjisë, pra të cilat konsumojnë më pak energji në mënyrë që edhe për qytetarin më pas të jetë shumë më e lirë dhe më e leverdishme që të investojë në një pajisje e cila është efiçiente”, thotë Gojani.
Gojani thotë se qeveritë e kaluar kanë pasur në plan që të ndërtojnë një termocentral, me qëllim që t’i mbulojnë nevojat e konsumit të energjisë edhe për ngrohje.
“Çfarë ne rekomandojmë është që të shihen alternativat për ngrohje ndërsa energjia elektrike të përdoret vetëm për konsum tjetër jo për ngrohje”, thotë Gojani.
Përkundër disa investimeve në burime alternative të energjisë së ripërtëritshme, rreth 95 për qind energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, 2.7 për qind nga hidrocentralet si dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet diellore.
Sipas ekspertëve, nëse vazhdohet me këtë ritëm, Kosova do ta ketë të vështirë që t’i mbërrijë targetet e vendosura nga organizatat ndërkombëtare për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, me rreth 0.06 centë për kilovat, kosovarët paguajnë më së paku në rajon për energjinë e shpenzuar.
Mirëpo, sipas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës, gjatë sezonit të dimrit të vitit të ardhshëm mund të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, për shkak se rritet konsumi e me të edhe importi i rrymës.