Pas vizitës turistike te xhaxhai në Kroaci, kosovarja ka thënë se ka hipur gabimisht në një autobus tjetër dhe jo në atë që do ta çonte në Prishtinë, siç kishte planifikuar dhe ka përfunduar në Berlin të Gjermanisë.
Një kosovare 27 vjeçe është kapur nga Policia Federale e Gjermanisë e dyshuar për qëndrim ilegal në Aeroportin e Munihut, shkruan merkur.de.
Gjatë kontrollimit të pasaportës me rastin e fluturimit në drejtim të Prishtinës, zyrtarët zbuluan se ajo kishte me vete pasaportë dhe vizë legale, por vizës i kishte dalë afati dher nuk vlente për Zonën e Shengenit.
Gjatë marrjes në pyetje ajo ka deklaruar se nuk ka shkelur ligjin por i ka ndodhur një ngjarje e pakëndshme. Pas vizitës turistike te xhaxhai në Kroaci, kosovarja ka hipur gabimisht në një autobus tjetër dhe jo në atë që do ta çonte në Prishtinë, siç kishte planifikuar. Kështu, autobusi “i gabuar” e ka sjellë atë në anën krejtësisht të kundërt, në Berlin.
E ndodhur në këtë qytet, ajo thotë se ka jetuar disa ditë rrugëve.
Por 27 vjeçarja nuk ka dhënë përgjigje se si ka mundur të siguronte biletën e aeroplanit dhe përse një hotel në Hanover e ka vërtetuar qëndrimin pesë ditësh të saj në atë qytet.
Për këtë arsye Policia Federale ka inicuar ndaj saj një procedurë penale, i ka marrë 100 euro si kaucion dhe e ka kthyer në shtëpi (në Kosovë). /GazetaSinjali/