image Kosova vazhdon të mbetet e paprekur nga koronavirusi

Shëndetësi

Shëndetësi/ Kosova vazhdon të mbetet e paprekur nga koronavirusi

news image

Ndërkohë që në vendet e tjera të botës vazhdon shtimi i bilancit të personave të vdekur dhe atyre të prekur nga koronavirusi, në Kosovë gjendja është stabile.

Sipas të dhënave të IKSHP-së, nga data 8 shkurt deri më 2 mars, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 36 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për tre raste të dyshimta në COVID-19.

Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2, e të cilat kanë dalë negative.

Njëkohësisht pacientët janë testuar në Influenza A dhe B, dhe njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv në Influenza B.

Nga data 1.02.2020 deri më 2.03.2020 në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1.643 udhëtarë.

Në Aeroportin “Adem Jashari” 327 udhëtarë, Vërmicë 523, Merdare 644, Hani i Elezit 28, Dheu i Bardhë 37, Jarinje 65, Bërnjak 5, Kullë 7 dhe Qafë Morinë 7 udhëtarë.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 2 mars 2020, janë raportuar gjithsej 89.068 raste me COVID-19 dhe gjithsej 3.046 raste të vdekjes, derisa në BE dhe Britani të Madhe janë raportuar 2.199 raste me COVID-19 dhe 38 raste të vdekjes. Në Itali janë 35 të vdekur, Francë 2 dhe San Marino një person i vdekur. /Gazeta Sinjali/