image Kosova, varreza masive e punëtorëve të sektorit privat

Kosovë

Tronditëse/ Kosova, varreza masive e punëtorëve të sektorit privat

news image

Dje në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë, Behram Behrami ra nga kati i gjashtë i një ndërtese për të mos u çuar më. Kjo ishte vdekja e 15 në vendin e punës për këtë vit. Në vitin 2018 kanë vdekur 27 punëtorë, ndërkaq 22 vdiqën në vitin 2017.

Mosha mesatare e të vdekurve në vendin e punës në Kosovë është 27 vjet. Kështu ka thënë në një intervistë për Gazetën Sinjali, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

“Në vitin 2019, deri më tash, me rastin e vdekjes së djeshme i kemi 15 punëtorë të vdekur në vendin e tyre të punës. Mosha mesatare e tyre sillet rreth 27 vjet. Kemi humbje të jetëve si kamarier, kemi humbje të jetës në kazino, kemi vdekje në gurthyes, raste të ndryshme. Për momentin, edhe pse unë e di që inspektorët dalin me shifra tjera, por janë 15 raste, pa përfshirë edhe një rast në Gjilan ku djali i pronarit ka humbë jetën duke e pastruar pishinën. Përndryshe janë 15 raste me emër dhe mbiemër. Në vitin 2018 i kemi 27 raste të vdekjes së punëtorëve në vendin e tyre të punës. Në vitin 2017 janë 22 raste të vdekjeve në vendin e punës”, ka deklaruar ai.

Sipas Azemit, përgjegjës kryesor për vdekjen e punëtorëve në vendet e punës janë pronarët e kompanive. Pas tyre, për nga përgjegjësia ai radhit inspektorët e Inspektoratit të Punës, të cilët sipas tij e kanë logjistikën e mjaftueshme që t’i vëzhgojë kushtet e punëtorëve dhe të intervenojnë aty ku duhet. Sipas tij, 90 për qind të kompanive në sektorin privat, nuk ua plotësojnë kushtet punëtorëve.

“Çdo punëtor ka obligim që ta ruajë vetëveten. Megjithatë ai e rrezikon kokën e vet. Nuk e rrezikon për të bërë luks, por e rrezikon për ta mbajtur familjen e vet. Në rend të parë, një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe vetë punëtorët, sepse aty ku e sheh rrezikun nuk mund të hyhet. Por, në njëfarë forme, përgjegjës kryesor është pronari i kompanisë, pastaj vjen mekanizmi i inspektoratit i cili shëtitet vërdallë e e ka logjistikën të mjaftueshme, dhe nëse do, edhe në Prishtinë por edhe në vende tjera sheh që 90% të kompanive nuk i plotësojnë kushtet për punëtorë. Punëtori absolutisht nuk e ka uniformën adekuate për punën të cilën e bën. Dilni dhe shihni kompanitë që punojnë ndërtesa pesë katëshe, gjashtë katëshe dhe shiheni se çfarë rrethimi, çfarë mbrojtje ka për punëtorët”, thotë ai.

Sipas Azemit, një pjesë e punëtorëve që hipin në kate të larta s’e shohin rrezikun shumë, si pasojë e nivelit të tyre të arsimimit. Prandaj, thotë ai, pronari dhe Inspektorati i Punës e kanë obligim të intervenojnë kur e shohin se nuk është në rregull.

Azemi kujton një aksion të Inspektoratit të Punës vitin e kaluar, i cili nuk kishte rezultuar me ndonjë rezultat shpresëdhënës për punëtorët.

“Vitin e kaluar e bënë një reklamë sa për famë. Dolën i ndërprenë 100 kompani, të cilat e ndërprenë punën, por pas një jave, të njëjtat kompani kanë punuar sikurse nuk ka ndodhur asgjë. Ka qenë një show total”, thekson ai.

Azemi: Qeveria së paku t’i varrosë denjësisht punëtorët

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat kishte kërkuar nga qeveria e Kosovës që ajo të krijojë një fond të veçantë, ku familjet e punëtorëve që vdesin në vendet e tyre të punës, të mund t’i varrosin denjësisht të dashurit e tyre.

“Ne si sindikatë kemi kërkuar nga qeveria dhe kryeministri të ndajnë një fond prej 100 mijë eurosh pasiqë fatkeqësisht mesatarisht po na shkojnë 25 punëtorë brenda vitit dhe së paku një varrim të tyre dinjitoz ta bëjnë. Ata nuk kanë ndejtë nëpër kolltuqe. Ata kanë punuar në vende nga më të ndryshmet, nëpër ndërtesa të larta. Së paku koha e ceremonisë së ngushëllimeve për ta të kryhet në mënyrë stimulative me një shumë simbolike”, thotë Azemi.

Ai thotë se qeveria ndohmon (ish-)politikanët e pasur, ndërkaq nuk i ndihmon familjet e punëtorëve që vdesin në vendet e tyre të punës.

Por Qeveria e Kosovës e ka ndihmu Bujar Bukoshin dhe ata që janë në rangun e 10 më të pasurit në Kosovë me 30 mijë euro, e nuk ndihmon në rastin kur punëtorët na vdesin në vendin e tyre të punës. Shpesh herë familjet dalin dhe kërkojnë borxh për ta kryer ceremoninë e varrimit dhe të ngushëllimeve për punëtorët. Kjo është ajo që ky shtet me të vërtetë për punëtorët e sektorit privat jo që nuk ka bërë diçka, por ka bërë degradim”, thotë Azemi.

Azemi thotë se nuk ka marrë përgjigjje nga qeveria për krijimin e këtij fondi.

“Absolutisht ne nuk kemi marrë përgjigjje nga qeveria lidhur me kërkesën tonë. Edhe përmes mjeteve të informimit, edhe përmes konferencës, edhe vetë personalisht e kam çuar dokumentin e protokoluar kur kam kërkuar që të krijohet një fond për këto raste, se po janë raste shumë të rënda dhe raste kryesisht të familjeve të varfëra. Ne për më shumë se dy muaj nuk kemi marrë asnjë përgjigjje nga kryeministri i Kosovës. Ne kemi shkruar për të gjitha rastet. Për të gjitha gjërat që po ndodhin te punëtorët e sektorit privat, edhe kryeministri, edhe kryetari i shtetit, edhe kryeparlamentari janë të njoftuar zyrtarisht me shkrim. Dhe po t’i vësh re, në këtë fushatë premtojnë përmirësim kushtesh, të kënaqin”, thotë Azemi. /Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/GazetaSinjali/videos/473038736884662/?t=1