Mbi 250 milionë euro është vlera e kredive që qeveria në detyrë ka aprovuar dhe pritet të aprovojë e që kanë për qëllim reagimin ndaj COVID-19. Por problem mbetet ratifikimi i këtyre marrëveshjeve nga Kuvendi i Kosovës, pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë më 25 mars.
E tillë është edhe marrëveshja në vlerë 22 milionë euro me Bankën Botërore për Fondin Kosovar për Grantimin e Kredive, e cila pas nënshkrimit nga qeveria është dërguar për ratifikim në Kuvend, por shkaku i situatës ajo nuk është ratifikuar ende, raporton Koha.
Sipas Ministrisë së Financave, janë pesë marrëveshje kredie në vlerë prej 228.1 milionë eurosh dhe dy marrëveshje bashkëfinancimi në vlerë 61 milionë euro që duhet ratifikuar në procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi. Dy të fundit duhet të ratifikohen nga Kuvendi deri në gusht, në të kundërtën rrezikohet të humbin mjetet e aprovuara nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për marrëveshjen në vlerë 50 milionë euro për riprogramim të asistencës ekzistuese IPA për ridestinim të mjeteve, si dhe 11.8 milionë euro për Parkun Inovativ dhe Trajnues në Prizren, i financuar me qeverinë gjermane.
Marrëveshja tjetër që ka urgjencë për shkak të situatës me furnizim të ujit të pijshëm, e cila duhet të aprovohet para 30 qershorit, është në vlerë prej 25.1 milionë euro me Bankën Botërore dhe ka të bëjë me përmirësimin e furnizimit me ujë në Gjilan. /Gazeta Sinjali/