Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ka reaguar ndaj pretendimeve të ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe agjencisë TASS, pas raportimeve se qytetarë nga Kosova po shkojnë në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë.
Këtë gjë e ka mohuar qartazi Ministria e Jashtme e Kosovës në reagimin e saj duke i hedhur poshtë këto pretendime tendencioze, raporton Gazeta Sinjali.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës hedh poshtë në mënyrë kategorike si të pavërtetë dhe tendencioz çdo pretendim të agjencisë të lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se kinse “Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin…”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
“Bëjmë me dije ministrit rus Lavrov dhe agjencisë e lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj (NR.05/L-002 ) pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla.” thuhet tutje në reagim.
MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane.
Republika e Kosovës bën thirrje për ulje të tensionit dhe shmangie të konfliktit, i cili mund të marrë përmasa të paparashikueshme.
/GazetaSinjali/
Kosovë