image Kosova po përballet me një nga valët më të mëdha të sulmeve kibernetike

Kosovë

Kosova po përballet me një nga valët më të mëdha të sulmeve kibernetike

news image

Kosova po përballet me sulmet më madhore kibernetike në histori. Cak i hakerëve janë institucione, kompani e individë që po u hakohen llogaritë.

Sipas njohësit të sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, ky organizim është mjaft serioz, pasi po përdoren metoda të kombinuara të hakimeve. Sipas tij, qëllimi kryesor është qasja në sistemin e komunikimit dhe të dhënat e kompanive e personave fizikë.

Së fundmi, në fokus kanë qenë edhe mediat e gazetarët.

Doli thotë se ka vërejtur formën “Malware” të sulmeve kibernetike, apo shpërndarjes së virusëve përmes e-maileve.

Rreth një muaj më parë, një virus ishte shpërndarë brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por sipas Kastriot Fetahajt, pre e sulmeve kibernetike kanë rënë edhe shumë institucione tjera publike e private.

Ai tregoi se thuajse janë prekur të gjitha universitetet publike dhe private, teksa llogaritë e rreth 50 profesorëve janë hakuar. Gjithashtu, sipas Fetahajt, janë shpërndarë edhe të dhënat bankare të qytetarëve.

Fetahaj tregon se të dhënat e hakuara po shiten në treg të zi, me çmime shumë të lira, rreth 100 dollarë.

Dyshohet se sulmet e fundit janë orkestruar nga një grup brenda Kosovës, në bashkëpunim me një tjetër të huaj që ende nuk po i dihet origjina.

Pasojat e këtyre mund të jenë të rënda, pasi mund ta kolapsojë sistemin e komunikimit të kompanive, raporton KlanKosova.

Siguria kibernetike është aktualisht problem global, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, që është koncentruar edhe në këtë fushë.

/GazetaSinjali/