image Kosova po ndikohet nga ndryshimet klimatike

Sociale

Kosova po ndikohet nga ndryshimet klimatike

news image

Ndikimi i ndryshimeve klimatike, ndotja e ajrit, uji i kontaminuar, menaxhimi i mbetjeve të ngurta, menaxhimi i mbeturinave, rreziqet që lidhen me kimikate të rrezikshme dhe ndikimet negative të ndryshme, janë kërcënimet urgjente mjedisore të shëndetit publik në Kosovë dhe në rajon.

Kështu u tha në konferencën ndërkombëtare Arabo-Evropiane me temë “Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës”, të mbajtur në Prishtinë, e organizuar nga Akademia Diplomatike e MPJD-së, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mjedis.

Drejtori i Akademisë Diplomatike, Beqir Ismaili, ka thënë se ndryshimi i klimës tashmë është një realitet i pamohueshëm dhe se faktor për këtë ndryshim është edhe zhvillimi i teknologjisë.

“Ndryshimet klimatike janë kriza e kësaj epoke, ashtu siç ishin parashikimet e mëparshme, klima po ndryshon dhe më shpejt ngaqë ishte parashikuar të ndryshonte, edhe ne nuk jemi plotësisht të pafuqishëm për t’u përballur me këtë kërcenim global….si faktorë i këtij ndryshimi klimatik dihet së është zhvillimin i teknologjisë, teknologjia është oponenti kryesor që kontribuon në ndryshimet klimatike, gjithashtu teknologjitë e reja dhe efikase mund të na ndihmojnë të reduktojnë dukshëm globalizimin që na ka përfshirë, duke e shndërruar botën në një vend më të pastër. Ndjekja e këtyre hapave do të na mundësojnë të gjithëve të bëjë hapin drejt një bote më të pastër dhe të qëndrueshme”, tha Ismaili.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i Unionit Arab për Zhvillim dhe Mjedis, Ashraf Abdel Aziz, ka thënë se ndryshimet klimatike janë të rëndësishme për të gjitha shtetet dhe duhen trajtuar me prioritet.

Sipas tij, shumë prej shkencëtarëve mendojnë se nga pasojat klimatike do të shkaktohen shumë sëmundje, ndryshime të mëdha atmosferike, sikurse thatësira, mungesa e ujit, ngritjen e temperaturave dhe sistemin ekologjik.

“Në fund do të dalim me konkluzione prej të cilat do të përfitojnë vendet tona dhe vendet e tjera të ndryshme. Gjithashtu, ekspertët tonë do të ofrojnë disa konkluzione prej të cilave mund të përfitohet shumë“, tha ai.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që në fushën e mjedisit të vendosë mekanizma të qartë, duke e trajtuar me prioritet çështjen e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.

“Republika e Kosovës, Qeveria e saj është e përkushtuar që në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike të vendosë mekanizma të qartë dhe filtra që të gjithë projektet investive dhe politikat e shtetit t’i subkordinohen politikave të adaptimit dhe të zvogëlimit të ndikimeve nga ndryshimet klimatike dhe kjo konferencë do të jetë në linje me këto politika që ne jemi të vendosur t’i shtyjmë para. Ndikimi i ndryshimeve klimatike, ndotja e ajrit, uji i kontaminuar, menaxhimi i mbetjeve të ngurta, menaxhimi i mbeturinave, rreziqet që lidhen me kimikalet të rrezikshme dhe ndikimet negative të ndryshe, janë kërcënimet urgjente mjedisore të shëndetit publik në Kosovë dhe në rajon. Kosova sot ndikohet nga ndryshimet klimatike. Ne edhe ndikohemi edhe ndikojmë, edhe ne bëjmë pjesë në ndotjen e përgjithshme që ndodhë kudo, prandaj jemi të vendosur që me politikat tona t’i reduktojmë, t’i zvogëlojmë këto“, tha ai.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti duke u shprehur i lumtur për organizmin e kësaj konference, është zotuar se MPJD do të përkrahë dhe ndihmojë secilin projekt apo bashkëpunim që krijohet mes shteteve arabe dhe Kosovës në fushat që synon të arrijë bashkëpunime kjo konferencë.

“Kam kuptuar edhe nga përbërja e delegacionit të Unionit Arab se ka jashtëzakonisht shumë mundësi të lidhjes së kontakteve afatgjate dhe të cilat mund të jenë produktive në të ardhmen e vendit tonë dhe Unionit Arab. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme më vendet arabe dhe jemi të interesuar ti thellojmë dhe zgjerojmë ato edhe me tutje. Zotohem se nga Ministria jonë do ta keni ndihmën dhe mbështetjen e plotë”, është shprehur Ahmeti.

Konferenca do të zhvillojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme ku panele me ekspertë të fushave të ndryshme do të diskutojnë mundësitë e përmirësimit të qasjes së shteteve ndaj ndryshimeve klimatike.

/GazetaSinjali/