image Kosova pjesë e Serbisë në librin e shkollës, ministrja Shahini e quan thjesht "pasaktësi"

Rajon

Reagimi/ Kosova pjesë e Serbisë në librin e shkollës, ministrja Shahini e quan thjesht “pasaktësi”

news image

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, e ka pranuar se në një libër që përdoret nga nxënësit e klasave të teta është një hartë që e zhbën shtetin e Kosovës, nga ku edhe e ka prejardhjen ministrja.

Shahini e ka minimizuar këtë gjë, duke e quajtur ‘pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit’, shkruan Gazeta Sinjali.

Ajo thotë se ky gabim është i paqëllimshëm dhe se ky libër është ndaluar para se të dilte në treg.

Reagimi i plotë:

Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.

Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!

Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!

Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë.