image Kosova nuk po arrin të identifikojë personat e radikalizuar

Kosovë

Kosova nuk po arrin të identifikojë personat e radikalizuar

news image

Nga 110 kosovarë, të cilët arriti shteti i Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i kthejë në vend, në mesin e tyre janë 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në vatra të rrezikshme. Disa prej këtyre fëmijëve të kthyer nga Siria, janë edhe pa përkujdesje prindërore.

Nga viti 2012 llogaritet se numri i personave që iu bashkuan këtyre luftërave, ka qenë 400 duke përfshirë gra e fëmijë. Për këtë, po konsiderohet se vendi po punon pak për identifikimin e personave të radikalizuar, të cilët synojnë t’i bashkohen këtyre luftërave. Ekspertët e sigurisë po kritikojnë institucionet se nuk kanë kapacitet për parandalimin e këtyre rasteve.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Drejtësi, Betim Musliu, thotë se kanë monitoruar të gjitha rastet të cilat lidhen me veprat penale terroriste e ekstremiste ku janë të përfshirë persona të ndryshëm nga Kosova në luftërat e huaja. Për çka sipas tij, sfidë e madhe për vendin mbetet mos-koordinimi institucional.

“Deri më tash kemi parë veprime të shumta në drejtim të ndjekjes dhe nuk është se nuk ka pasur rezultate. Ajo që mbetet tani sfida shumë e madhe është koordinimi ndërinstitucional për të bërë më shumë vetëdijesimin e popullatës dhe sidomos këtyre grupeve të ndjeshme të cilat edhe mund të jenë të indoktrinuar në mënyrë të gabuar që të jenë pjesë e luftërave të ndryshme që zhvillohen jashtë vendit. Në këtë rast nevojitet një koordinim shumë më i mirë, sepse deri më tash është dëshmuar që kapacitetet tona nuk kanë qenë në nivelin e duhur, prandaj edhe kemi pasur një numër të madh të personave të cilët janë përfshirë në këto luftëra”, deklaron Musliu.

Behgjet Shala që udhëheq Komisionin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se nuk dihet saktë se sa persona vazhdojnë të qëndrojnë në vatrat e luftës, në Siri e Irak.

Por, sipas tij llogaritet se që nga viti 2012, kanë qenë mbi 400 persona, duke përfshirë gra e fëmijë në këto vende.

Sipas Shalës, personat e radikalizuar kanë mundësi që të largohen nga Kosova pa lënë gjurmë.

“Kosova nuk ka kapacitet të hyjë në këto operacione aq të ndërlikuara, siç është përcjellja e të dyshuarve apo kthimi i atyre që kanë shkuar atje të luftojnë. Të jemi të sinqertë ata që kanë shkuar atje, nuk kthehen këtu, kthehen vetëm ata që zhgënjehen dhe janë në burg, janë në kampe dhe nuk kanë asnjë llogari tjetër. Edhe ata të cilët më shumë rrezikohen atje, sepse atje mund t’iu rrezikohet jeta… Kosova nuk ka kapacitet, as profesional, as material e as akomodues për këtë kategori të njerëzve të cilëve në fund të fundit është edhe vështirë t’ju besohet”, thotë Shala.

Ndër të tjera, Shala thotë se edhe në prill të vitit të kaluar, kur u kthyen mbi 100 persona ka pasur pritje raciste për këta njerëz edhe për fëmijët që fatkeqësisht nuk kanë “zgjedhur” të lindin atje.

E, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi vlerëson se Kosova në aspektin e brendshëm i ka mundësitë për të trajtuar këto raste, pasi që sipas tij vendi ka institucionet e sigurisë që merren me këtë. Megjithatë ai konsideron se varet se çfarë marrëdhëniesh ka Kosova me vendet ku shkojnë ata.

“Në aspektin tjetër, kur ata dalin prej shtetit edhe është aspekti i marrëdhënieve si i ke ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që kufizohemi dhe sidomos me ata që nëse flasim për pjesëmarrjen në Irak të qytetarëve tanë dhe sidomos në Siri, krejt varet se sa kemi partneritetin me ato shtete. Qoftë marrëdhënie policore por edhe të inteligjencës edhe vet të këmbimit të informacioneve por edhe njoftimin në lidhje eventual të informacionit, të implikimit të tyre në akte terroriste”, thotë Ibishi.

Sipas tij, kjo problematikë është mjaft e ndjeshme edhe në vendet tjera, në veçanti me shtetin e Francës.

Për këtë KosovaPress ka pritur me ditë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Nga 110 kosovarë, të cilët ar riti shteti i Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i kthejë në vend, në mesin e tyre janë 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në vatra të rrezikshme. Disa prej këtyre fëmijëve të kthyer nga Siria, janë edhe pa përkujdesje prindërore. /Gazeta Sinjali/