Komisioni Ekzekutiv për Anëtarësimin e Kosovës në BE e ka miratuar qëndrimin zyrtar të vendit për aplikim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti.
Sipas njoftimit të ZKM, gjatë këtij takimi të parë u diskutua edhe situata gjeopolitike dhe zhvillimet e tjera relevante.
“Komisioni konfirmoi përkushtimin dhe orientimin e vendit për integrim evropian dhe miratoi qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës për aplikim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti. Në takim u tha se Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe se këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tash e gjashtë vjet, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj”.
Më tej, bëhet e ditur se anëtarët e komisionit diskutuan edhe për hapat e radhës të institucioneve vartëse deri te dorëzimi i aplikimit.
Ky komision ishte themeluar në mbledhjen e 94-të të Qeverisë së Kosovës dhe funksionon si mekanizëm ndër-institucional, përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.