image Kosova në pritje të afganëve, Kosnett falënderon Osmanin për vendimin e institucioneve

Politikë

Kosova në pritje të afganëve, Kosnett falënderon Osmanin për vendimin e institucioneve

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett për të diskutuar çështje të interesit të dyanshëm, shkruan Gazeta Sinjali.

Në këtë takim ambasadori Kosnett shprehu falënderimin e qeverisë së SHBA-ve për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme të afganëve.

Ndërsa, presidentja Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës, mirëkuptojnë nevojën për strehim të sigurt për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, nisur nga përvoja e kaluar.

Vjosa Osmani theksoi se Republika e Kosovës do t’i qëndrojë përkrah SHBA-ve dhe shteteve aleate duke dhënë kontributin e saj në paqen ndërkombëtare.

Ajo gjithashtu shprehu falënderimin për mbështetjen e SHBA-ve në luftën me pandeminë që nga donacionet në pajisje mjekësore dhe vaksina, deri tek nismat për njoftim të publikut për masat mbrojtëse kundër Covid-19 dhe informimit të drejtë për vaksinat.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Kosnett gjithashtu diskutuan edhe për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushën e politikës së jashtme si dhe në realizimin e reformave në drejtësi dhe energjetikë. /GazetaSinjali/