Agresioni rus në Ukrainë ka pasur ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare. Një krizë e tillë pritet të ketë ndikim edhe në ekonominë e Kosovës duke sjellë shtrenjtim të produkteve të ndryshme.
Ekspertët presin përshkallëzim negativ ekonomik, ndërsa qytetarët ankohen për çmime të larta. Prej ditës së premte, çmimet e derivateve në vend janë ngritur për 0.6 centë në litër.
Sipas kryetarit të Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani çmimet kanë shkuar deri në 1 euro e 42 centë.
Berjani paralajmëron se çmimet pritet të arrijnë deri në 1 euro e 60 centë. Ai ka thënë se në 20 vitet e fundit, çmimet e karburanteve nuk kanë qenë më të larta se tani.
Madje sipas tij, këto çmime janë duke u rritur në mënyrë ekstreme, teksa bën të ditur se marzha e fitimit të naftëtarëve nuk është më shumë se 5 centë për litër.
“Sa i përket çmimeve të derivateve kuptohet se Ukraina dhe Rusia kanë ndikuar. Kjo luftë e tmerrshme e cila është duke ndodhur për fat të keq ka ndikuar edhe në sektorin e naftës. Çmimet janë rritur në mënyrë ekstreme. Vetëm mbrëmë kemi pasur rritje 60 dollarë në ton. Çka do të thotë se rritja e çmimeve nuk po ndodhë vetëm tek ne në Kosovë, por në tërë botën. Çmimet sot aktualisht sillen nga 1.31 centë deri 1.40 centë për naftë, benzina deri 1 euro e 42 centë. Trendi i çmimeve kështu siç po ndodhë do të arrijë deri në 1 euro e 60 centë për litër naftë. Kjo te ne kur ndodhë, ky çmim në Shqipëri, Serbi dhe në shtet në regjion do të bëhet mbi 2 euro”, ka thënë Berjani.
Profesori Nagip Skënderi ka thënë se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës pashmangshëm se do të ketë ndikim në ekonominë e Kosovës, me rritje marramendëse të çmimeve.
Përveç naftës, profesori nuk përjashton mundësinë që të ketë rritje të çmimeve edhe tek produktet e grurit, metaleve dhe të tjera.
“Pasojat ekonomike janë të pashmangshme edhe në shportën e konsumatorëve, në anën tjetër për derivatet e naftës veçse ka filluar të ketë një rritje marramendëse të çmimeve. Këto çmime tash pothuajse janë në nivelin e barabartë me vendet e Bashkimit Evropian, në Gjermani dhe Austri, e nga ana tjetër standardi jetësor i popullatës sonë është shumë mbrapa këtyre standardeve tjera evropiane. Kështu pashmangshëm se kjo do ta çojë një mosefikasitet ekonominë e Kosovës, në një rënie të këtyre produkteve elementare dhe këto do të ndikojnë në mënyrë të dukshme edhe në jetesën e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai për KP.
Profesori Skënderi pret që ekonomia e Kosovës të përshkallëzohet negativisht si pasojë e luftës në Ukrainë.
“Ekonomia e Kosovës pritet të përshkallëzohet negativisht në këtë periudhë, respektivisht ajo e cila është e varur në mënyrë totale nga importi, ku do të kemi një ngritje të papërballueshme të nivelit të çmimit, që në fakt edhe bizneset nuk mund t’i fajësojmë në këtë moment, sepse për do të duhej të kishte një përkrahje me subvencione nga ana e institucioneve të Kosovës. Në këtë moment mendoj se qeveria do të duhej shpejt të merret me këto çështje”, ka shtuar ai.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka paralajmëruar pasoja ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë.
“6 pasoja ekonomike të luftës në Ukrainë: Rritja e çmimit të naftës, rritja e çmimit të gazit, rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e çmimit të drithërave, rritja e çmimit të aluminit dhe çelikut, rrjedhimisht rritja e kostove në sektorin e ndërtimit dhe rritja e kostove të transportit”, ka shkruar ai.