image Kosova me tri kërkesa në tavolinë në takimin urgjent në Bruksel, Vuçiq refuzon diskutimin përballë Kurtit

Politikë

Kosova me tri kërkesa në tavolinë në takimin urgjent në Bruksel, Vuçiq refuzon diskutimin përballë Kurtit

news image

Një takim urgjent për rrugëdalje nga kriza aktuale është thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ftesës i janë përgjigjur pozitivisht dy liderët e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, të cilët pritet të marrin pjesë në takimin në Bruksel që u paralajmërua se do fillonte në orën 14:00, raporton Gazeta Sinjali.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë rrugën drejt Brukeslit me tri kërkesa të qarta:

  • lirimin urgjent, pa kushte të tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga forcat serbe;
  • deeskalimin  e situatës
  • normalizimin e marrëdhënieve

“Përcaktoj itinerarin tim për të shkuar në Bruksel nga Roma nesër, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga  Borrell. Do të insistoj për lirimin urgjent pa kushte të 3 policëve të mbajtur peng nga Serbia, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Kurti në Twitter gjatë ditës së djeshme.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha  do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, tha Vuçiq.

Siç raporton REL në bazë të informacioneve nga burimet diplomatike, ekziston mundësia që Kurti dhe Vuçiq të mos kenë takim direkt, por vetëm takime bilaterale me Borrellin.

Përmes një komunikate zyrtare për media, nga BE njoftojnë se takimet e sotme do të mbahen me qëllim të deeskalimit të situatës.

“Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të de-përshkallëzuar tensionet aktuale në mënyrë që t’i rikthehet zbatimit të Marrëveshjeve të Dialogut, në veçanti Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, thuhet në komunikatë zyrtare nga BE.”

Pas përfundimit të takimeve, është konfirmuar se përfaqësuesi i Lartë do të dalë në një konferencë për media, ku pritet të tregohen më shumë detaje.

“Do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesja e Lartë në përfundim të takimeve në godinën e EEAS. Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt në Evropë nga Satellite”, thuhet më tutje në njofitm.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

/GazetaSinjali/