image Kosova, kontribuesi më i madh me ndihma ndaj Shqipërisë

Kosovë

Solidarizim/ Kosova, kontribuesi më i madh me ndihma ndaj Shqipërisë

news image

Shteti i Kosovës është kontribuesi më i madh me ndihma materiale dhe njerëzore në përballimin e pasojave katastrofale që shkaktoi tërmeti në Shqipëri, ku humbën jetën 51 persona, u plagosën mbi një mijë  dhe mijëra të tjerë u zhvendosën si pasojë e shkatërrimeve të objekteve të banimit.

Ky përfundim del krahasuar me sipërfaqen e territorit, numërin e banorëve dhe shkallën e ulët të GDP-së për kokë banori, shkruan Gazeta Sinjali.

Pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale, një solidaritet i madh që nga institucionet deri tek qytetarët e Kosovës është manifestuar gjatë ditëve të kaluara për vëllezërit dhe motrat shqiptare të goditura nga tërmeti shkatërrues.

I madh e i vogël, të prekur rëndë nga tragjedia në Shqipëri, kanë gjetur forma të ndryshme solidarizimi e ndihme për bashkëkombasit, që nga grumbullimi i ndihmave në rrugë, shkolla e institucione, duke e ndjerë si detyrë dhe obligim moral ndaj popullit shqiptar të Shqipërisë për t`ju gjendur pranë në këto ditë të rënda të fatkeqësisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Në vazhdën e ndihmave financiare, Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro ndihmë. Komuna e Prishtinës ka dhënë 50 mijë euro, komuna Mitrovicës së Jugut, 22 mijë ndërsa komuna e Drenasit, 10 mijë.

Prej momentit kur ka ndodhur tërmeti i parë, nga Kosova për në Shqipëri kanë hyrë mbi 200 tonelata ushqime dhe prodhime sanitare dhe mbi një mijë dyshekë.

Vëtëm në Durrës llogaritet se janë ndarë 51 tonelata ndihma përfshirë ushqime, veshje, batanije dhe barna.

Përveç ndihmës institucionale, familja e biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli, ka ndarë 1 milion euro. Këngëtari nga Kosova, Ermal Fejzullahu ka dhënë  për familjet e viktimave 10 mijë euro derisa shuma të tjera janë grumbulluar përmes organizimit të aksioneve të ndryshme humanitare.    

Ndihmë të vlefshme dhe të pakursyer ndaj shteti shqiptar kanë dhënë sidomos ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në hulumtimin dhe gjetjen nën gërmadha të të mbijetuarve dhe viktimave të tërmetit, shkruan Gazeta Sinjali.

Puna e FSK-së është lavdëruar edhe për nivelin e larte të profesionalizmit dhe gjindshmërinë në situata të tilla të katastrofave humanitare duke përdorur metodologji të sofistikuar edhe përmes qenëve nuhatës në gjetjen e viktimave, gjë kjo e cila ka qenë befasuese dhe risi edhe për vetë shtetin shqiptar.    

Përvec tyre edhe grupe vullnetare të qytetarëvë dhe organizatave joqeveritare nga Kosova kanë shkuar në zonat e prekura nga tërmeti për të kontribuar vullnetarisht në shpërndarjen e ndihmave.

Ndërsa sot nga Koosva për në Shqipëri ka udhëtuar një grup prej mbi 50 psikologëve dhe mjekëve për tju ndihmuar qytetarëve në Thumanë, Durrës dhe Tiranë, në tejkalimin e traumave psikike që ka sjellë kjo situatë e jashtëzakonshme.

Autoritetet komunale dhe familjet kosovare kanë hapur dyert dhe shtëpitë e tyre për t`ju ofruar strehim, ushqim dhe gjëra të tera, të prekurve nga tërmeti.

Numri i personave të zhvendosur që ka hyrë në Kosovë gjatë këtyre ditëve llogaritet të jetë me mijëra. Vetëm në Prizen janë vendosur rreth dy mijë shtetas të Shqipërisë.

Në disa komuna tashmë janë themeluar edhe këshillet organizative për pritjen e fluksit të bashkëkombasve nga Shqipëria. / Gazeta Sinjali/