Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i është kundërpërgjigjur Ministrisë së Jashtme ruse lidhur me reagimin që erdhi nga Moska për vondosjen e reciprocitetit nga qeveria e Kosovë.
MPJD e ka kundërshtuar reagimin e Rusisë, duke thënë se reciprociteti është e vetmja formë legjitike me ndërtimit të raporteve me Serbinë.
“Republika e Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, e vendosur për raporte të mira me të gjithë fqinjët e vet. Në këtë kontekst, edhe marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi parimin reciprocitetit, si e vetmja formë legjitime e ndërtimit të raporteve të barabarta ndërshtetërore. Masat reciproke të Kosovës janë vetëm pasqyrim i pengesave dhe barrierave të shumta që Serbia ka vendosur ndaj shtetit të Kosovës”.
“Kosova ende nuk ka filluar të zbatojë gamën e gjerë të pengesave që Serbia aplikon ndaj Kosovës, duke i ofruar mundësi Serbisë të reflektojë dhe t’i heqë barrierat dhe pengesat ndaj Kosovës. Marrëdhëniet mes shteteve tona nuk mund të normalizohen në mënyrë të njëanshme, por duhet të pasqyrojnë vullnetin reciprok të të dyja palëve”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Sipas MPJD-së, Kosova ka dëshmuar vullnetin e saj për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq tani i mbetet Serbisë t’i heqë barrierat dhe ta ndalë agresionin diplomatik ndaj Kosovës.
Rusia, të hënën mbrëma, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, tha se vendimi i ri i qeverisë në detyrë është “vazhdimësi e manipulimit me temën e tarifës”.
Në reagimin e saj për këtë, Rusia pati kritika edhe për qëndrimin e Bashkimit Evropian rreth kësaj çështje. /Gazeta Sinjali/