image Kosova humb afër 150 milionë euro të hyra

Financa

Kosova humb afër 150 milionë euro të hyra

news image

Rreth 150 milionë euro më pak këtë vit kanë mbledhur për arkën e shtetit dy institucionet financiare në vend, transmeton Gazeta Sinjali.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se për të hyrat edhe viti 2021 do të jetë shqetësues për organizatat buxhetore, teksa ka shtuar se për vitin 2020 do të ketë një rënie ekonomike deri minus 6.4%.

Në anën tjetër, njohës të ekonomisë thonë se institucionet e shtetit janë përgjegjëse për plotësimin e hendekut buxhetor.

Pandemia COVID-19, ka ndikuar që vetëm në Doganën e Kosovës të hyrat të shënojnë rënie mbi 100 milionë euro, ndërsa në ATK mbi 30 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se 12% kanë shënuar rënie të hyrat në periudhën janar-gusht.

“Si rezultat i pandemisë dhe rënies së konsumit ne kemi parë që në periudhën janar-gusht 2020 me periudhën e njëjtë 2019, dallimi është mbi 100 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe që po flasim, ne kemi pasur të grumbulluara 760 milionë euro, ndërsa në periudhën janar-gusht 2020 kemi 653 milionë, që nënkupton se janë më pak se 107 milionë euro apo shprehur në përqindje janë rreth 12% më pak”, pohon Stavileci.

Për gjendjen e rëndë të të hyrave, ministrja Bajrami thotë se në bazë të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH), të hyrat për vitin 2021 do të jenë në nivelin e të hyrave me vitin 2019 për shkak të pandemisë.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka është shprehur se Qeveria e Kosovës duhet t’i gjejë mundësitë për mbulimin e hendekut buxhetor.

Gjithashtu, qeveria e Kosovës ka paraparë rënie të të hyrave mbi 230 milionë euro deri në fund të vitit. /Gazeta Sinjali/