Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) në Shqipëri, kanë nënshkruar më 30.03.2022 në Prishtinë, Memorandum bashkëpunimi i cili parasheh bashkëpunimin ndërshtetëror në ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë.
Drejtori i AKA-së, Naim Gashi, ka thënë se marrëveshja do të kontribuojë në avancimin e studimeve akademike në të dyja vendet dhe përmirësimin e cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë.
“Memorandumi ka për qëllim nxitjen për zbatimin e standardeve dhe procedurave evropiane (ESG) në sistemet e arsimit të lartë dhe bashkëpunim në plotësimin e kritereve dhe rekomandimeve të Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR)”, tha Gashi.
Drejtoresha e ASCAL-it, Xhiliola Bixheku ka thënë se ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm për të dyja palët për ruajtjen e standardeve cilësore të arsimit të lartë dhe programeve mësimore.
“Në këtë kuadër, qëndrojnë edhe fokusi dhe përpjekjet tona të pandërprera për të vendosur në sistemin e arsimit tonë të lartë standarde dhe procedura evropiane. Për ASCAL është një detyrim ligjor dhe një sfidë pjesëmarrja në ENQA, për të cilën mendojmë se do të kemi edhe ndihmën e pakursyer të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA)”, tha Bixheku.
Në memorandumin e nënshkruar sot thuhet se:
AKA dhe ASCAL angazhohen që të bashkëpunojnë në shkëmbimin e përvojave të mira ndërmjet dy shteteve në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; shkëmbimin e informacionit rreth cilësisë, rezultateve dhe akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe programet që ato ofrojnë.
Nxitjen e shkëmbimeve të personelit akademik dhe studentëve që angazhohen në proceset e akreditimit në të dy shtetet (si anëtarë të grupit të vlerësimit të jashtëm); aplikimin e përbashkët në projekte rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; Shkëmbimin e njohurive rreth rregulloreve, udhëzimeve, manualeve apo çdo akti tjetër ligjor që rregullon fushën e sigurimit cilësisë në arsimin e lartë; shkëmbimin e stafit për shkëmbimin e eksperiencave midis tyre.