Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në përballje me Islandën.
“Dardanët” shënuan fitore me dy pikë epërsi 80:78 në kuadër të parakualifikueseve për Kampionatin Botëror 2023.
Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Kosova ishte më e mirë se Islanda qysh nga çereku i parë, duke e mbyllur 22:13.
Kurse në çerekun e dytë ‘Dardanët’ patën një seri negative, duke bërë që pjesën e parë ta mbyllin me vetëm një pikë epërsi (35:34).
Në çerekun e tretë, Kosova ishin shumë të saktë nga distanca për tri pikë, me Dardan Berishën e Drilon Hajrizin që dënonin kundërshtarin për secilën hapësirë. Kosova mbylli çerekun e tretë me tri pikë epërsi, 60:57.
Çereku i katërt vazhdoi akoma më mirë për skuadrën e drejtuar nga Marmarinos, të cilët shkuan në një seri prej 9:0, për t’u shkëputur me islandezët.
Kjo shkëputje i mundësoi Kosovës që të merrte në fund fitoren (80:78), duke nisur kështu pozitivisht aventurën me Marmarinon, në parakualifikueset për botërorin 2023.