Kosova ka shtuar thirrjet për mbështetje që të anëtarësohet në NATO, pas agresionit që Rusia po kryen në Ukrainë. Sipas zyrtarëve të lartë shtetërorë, tash në këtë kohë anëtarësimi në NATO i shteteve të reja duhet të shikohet nga prizmi i sigurisë e jo vetëm nga prizmi i kritereve politike.
Në këtë Aleancë, anëtare janë katër shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, e votimi për anëtarët e rinj bëhet me unanimitet të plotë.
Qysh prej ditës kur Rusia nisi agresionin në Ukrainë, u rritën shqetësimet se Ballkani Perëndimor është gjithashtu i rrezikuar.
Ky është deklarimi që po përsëritet nga liderët shtetëror, i fundit u bë të premten nga kryeministri Albin Kurti që tha se Rusia nuk do të ndalet veç në Ukrainë.
“Ai nuk mund të ulet në tryezën e negociatave vetëm me agresionin e invazionin në Ukrainë. Ballkani Perëndimor është i rrezikuar”, ka theksuar Kurti.
Prandaj kërkesat për mbështetje nga superfuqitë për anëtarësimin e Kosovës në NATO po shtohen,siç bëri presidentja Osmani në letrën që i dërgoi presidentit amerikan, Joe Biden.
Tashmë Kosova ka të themeluar edhe Grupin Punues 8 anëtarësh që si qëllim ka intensifikimin e punës në procesin e integrimit në NATO.
Në fakt veprime të menjëhershme ekzekutivit i kërkoi edhe Kuvendi përmes një rezolute. Në pikën e 10 i është kërkuar Qeverisë që në konsultim me misionin e NATO-s t’i rishikojë dhe t’i shkurtojë afatet e parapara në planin 10-vjeçar për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt.
Më të zorshme rrugën drejtë anëtarësimit në këtë aleancë ushtarake, Kosovës ia bën mos njohja nga 4 shtetet anëtare aty, Spanja, Greqia, Rumania e Slovakia, meqë votimi brenda tryezës 30 anëtarëshe behet me unanimitet.
“Ne po punojmë shumë, vazhdimisht me këto katër shtete por edhe me partnerët që na kanë ndihmuar që t’i bindin këto katër shtete mos ta bllokojnë procesin e antërësimit”, ka thënë Vjosa Osmani, presidente e Kosovës
Por, si bëhet anëtarësimi në NATO?
Anëtarësimi është i hapur për “çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të respektojë parimet e këtij Traktati dhe që kontribuon në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.
Gjithashtu, NATO ka atë që e quan Plani i Veprimit për Anëtarësim i cili plan i ndihmon anëtarët të cilët aspirojnë të përgatiten për anëtarësim dhe që i përmbushin kërkesat kryesore, duke u ofruar atyre këshilla praktike dhe ndihmën përkatëse.
Por, është rregull që para anëtarësimit në NATO, shtetet të jenë anëtare të Partneritetit për Paqe, aty ku Kosova nuk është.
Eksperti i Sigurisë Drizan Shala thotë se anëtarësimi në Partneritetin për Paqe do ta ndihmonte Kosovën karshi vendeve skeptike.
Shala e sheh të largët ditën kur Kosova do të bëhet pjesë e NATO-s. Thotë se fillimisht shteti duhet t’i ketë të demarkuar kufijtë me vendet që kufizohet, çka nuk e ka me Serbinë.
“Çdo anëtar i NATO-së duhet t’i dijë kufijtë e vet shtetëror. Më pastaj bëhet ratifikimi i kërkesës, sipas procedurave… Duhet të dihet deri ku e ka kufirin për ta mbrojtur atë anëtar të aleancës”, tha Shala për RTK.
Ai tha se për tu bërë vend anëtar i NATO-s Kosova duhet t’i kalojë pesë faza që i duhet kohë për t’i përmbushur.