image Kosova drejtohet nga trajneri slloven në ndeshjet e nëntorit

Futboll

Kosova drejtohet nga trajneri slloven në ndeshjet e nëntorit

news image

Trajneri slloven Primoz Gliha ka thënë se ka arritur marrëveshje me Federatën e Futbollit të Kosovës për ta udhëhequr Kombëtaren e Kosovës në dy ndeshjet e fundit të saj këtë vit, pas shkarkimit të trajnerit Bernard Challandes.

Federata e Futbollit e Kosovës është në kërkim të një trajneri të ri, pasi i ndau rrugët me trajnerin zviceran Challandes javën e kaluar, pas humbjes së verdhekaltërve kundër Gjeorgjisë në ndeshjen e parafundit kualifikuese për Kupën e Botës 2022.

Gliha, një ish-trajner i suksesshëm për një kohë të gjatë në krye të ekipit kombëtar U21 të Sllovenisë, është përmendur si pasues i mundshëm i Challandes.

Tani ai ka theksuar se do të marrë drejtimin e Kosovës përkohësisht të paktën.

“Është e vërtetë se unë jam pajtuar me drejtuesit e Federatës së futbollit të Kosovës për ta udhëhequr ekipin kombëtar për dy ndeshjet e nëntorit dhe bashkëpunimi ynë i mëtejmë është në duart e drejtuesve të Federatës së Kosovës, natyrisht”, tha Gliha për mediat sllovene. /Gazeta Sinjali Sporti/