image Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhënie diplomatike

Kosovë

Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhënie diplomatike

news image

Të hënën, më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan marrëdhënie diplomatike, shkruan Gazeta Sinjali.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Të udhëhequr nga vullneti i përbashkët për të promovuar dhe forcuar lidhjet miqësore, si dhe për të zgjeruar horizontet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe bazuar në parimet universale të ligjit ndërkombëtar; duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, (Kosova dhe Izraeli) kanë vendosur që të themelojnë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet në dokumentin të cilin e nënshkruan kryediplomatët e Kosovës dhe Izraelit.

Ky dokument u nënshkrua në katër kopje: në gjuhën shqipe, angleze, hebreje dhe serbe.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Matthew Palmer.

Në dokument po ashtu thuhet se aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë edhe akreditimin e ambasadorëve respektivë “do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejme përmes kanaleve normale diplomatike”.

Ambasadorja e Kosovës në Izrael pritet të jetë Ines Demiri, e cila më 2020 ishte emëruar e ngarkuar me punë në po këtë shtet.

Dy ministritë po ashtu nënshkruan memorandum për konsultime politike dhe memorandum për bashkëpunim zhvillimor. Që të dy këto memorandume ishin të shkruara në gjuhën angleze.

Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme kanë thënë se kjo ngjarje do të jetë historike, pasi për herë të parë dy shtete vendosin marrëdhënie përmes platformave virtuale. /Gazeta Sinjali/