image Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

Drejtësi

Kosova bëhet anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

news image

Kosova është bërë zyrtarisht anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Ministria e Punëve të Jashtme, ku thuhet se zëvendësministri Kreshnik Ahmeti dhe Kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur, bashkë me ambasadorin e vendit në Holandë, dorëzuan instrumentet e aderimit në këtë komision.

“Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës për dorëzimin e instrumenteve për aderimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, zëvendësministri, z. Ahmeti, falënderoi Drejtorin e Divizionit të Traktateve, z. Jules van Eijndhoven për rolin konstruktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.” – thuhet në komunikatë.

Ministria ka dhënë edhe një sfond rreth kësaj organizate, e cila adreson çështjen e personave të zhdukur.

“Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndër-qeveritare e themeluar në vitin 1996, e cila adreson çështjen e personave të zhdukur në rrethana të konflikteve të armatosura, shkeljes së të drejtave të njeriut, fatkeqësive natyrore, krimit të organizuar, migrimit ilegal, etj.” – thuhet në komunikatë.

/GazetaSinjali/