Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë që është shumë e rëndësishme që Kosova ka institucione funksionale, në mënyrë që të ecë përpara.
Sipas tij, zgjedhjet e 14 shkurtit e dëshmuan se njerëzit në Kosovë janë të etur për ndryshim.
“Mendoj se zgjedhja e presidentes ishte shumë e rëndësishme, jo përkitazi me kush është president, kush është kryeministër, por që institucionet të kenë mundësi për të funksionuar. Por, mendoj se qeveria Kurti është e etur për t’ia nisur punës dhe për të përmbushur premtimet e saj ndaj popullit të Kosovës. Mendoj se kohëve të fundit e kemi parë dhe zgjedhjet e shkurtit e përkujtuan atë se njerëzit në Kosovë janë të etur për ndryshim”, tha Kosnett në Klankosova.
Kosnett tha se qytetarët duan të shohin veprim të njëmendtë kundër korrupsionit.
Ai shtoi se kosovarët duan të shohin përparim ekonomik që vërtetë do të ndihmojë jetën e qytetarëve të rëndomtë.
“Dhe mendoj se është e rëndësishme që të dihet – dhe kam folur për këtë edhe më parë – se nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë për ta çuar vendin përpara. Edhe partitë opozitare luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikave në bashkëveprim me qeverinë. Sektori privat është jetik për zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Zërat e shoqërisë civile kanë rëndësi. Pra, mendoj se kjo është kohë shumë emocionuese për Kosovën dhe është me rëndësi që çdo institut dhe çdo individ në vend të luajnë rolin e tyre”, shtoi Kosnett.
Kosnett tha gjithashtu që nuk i kërkuan askujt për të votuar për Vjosa Osmanin për presidente, por të kryenin obligimin e tyre si deputetë duke votuar.
“Nuk i kërkuam askujt për të votuar për Vjosa Osmanin për presidente. Çka bëmë është se thamë që të gjithë deputetët e Kuvendit kanë përgjegjësi për të marrë pjesë aktivisht. Për të vënë fletëvotimin në kuti për këdo që dëshironin. Ne mendojmë se është me rëndësi për t’iu larguar kësaj traditës në politikën kosovare ku bojkotimi i Kuvendit, bojkotimi i punës së qeverisë duket si taktikë legjitime”, u shpreh tutje ai. /Gazeta Sinjali/