Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka publikuar një video nga momenti i ngritjes së flamurit amerikan në amabasadën e re të SHBA-së në Kosovë.
Me këtë rast, Kosnett është shprehur krenar, derisa objektin e ri të ambasadës e ka quajtur “shtëpi”, shkruan Sinjali.
“Moment krenarie në Ambasadën e re të Shteteve të Bashkuara, derisa ngritëm Yjet dhe Shiritat për herë të parë në shtëpinë tonë të re”, ka shkruar Kosnett në profilin e tij zyrtar në Twitter.
Ambasada e re e SHBA-së në Kosovë, e ndërtuar së fundmi, është më e madhja në rajon.Ajo u përurua më 4 korrik të këtij viti, në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së SHBA-ve.
Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shtetet e Bashkuara së pari hapën Zyrën e Shërbimit Informativ të SHBA-së në Kosovë, në vitin 1996.
Ndërmjet viteve 1999 dhe 2008, kjo Zyrë në Prishtinë ka vepruar në cilësi të misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Kosovën duke ngritur edhe nivelin e përfaqësimit diplomatik në nivel të Ambasadës.
Sipas të dhënave, që nga viti 1999, Qeveria e SHBA-së ka investuar në Kosovë rreth 2 miliardë dollarë. /Sinjali