image Koronavirusi prek edhe personat që nuk kanë histori udhëtimi

Botë

Botë/ Koronavirusi prek edhe personat që nuk kanë histori udhëtimi

news image

Përhapja e koronavirusit po merr përmasa të tjera në mbarë botën. Në Shtetet e Bashkuara po shfaqen raste infektimesh të peronave që nuk kanë histori udhëtimi apo kontakti me të infektuar të tjerë. Virusi po përhapet me shpejtësi edhe në Itali, Korenë e Jugut dhe Iran. OBSh-ja dyshon se vende si Irani apo Koreja e Veriut po e fshehin epideminë.

Në Shtetet e Bashkuara nga e premtja po raportohen raste infektimesh të pacientëve që nuk kanë histori udhëtimi në vendet e prekura apo takime me të tjerë të infektuar.

Tre raste të tilla u raportuan në shtetet amerikane të Kalifornisë, Oregonit dhe Uashingtonit.

Brenda kësaj jave në Shtetet e Bashkuara janë raportuar 65 raste infektimesh, por deri më tani ato janë lidhur me udhëtimet jashtë vendit apo kontaktit me persona që kishin udhëtuar.

Përveç Kinës, epiqendra e epidemisë, Koreja e Jugut është numëron mijëra të infektuar, ku vetëm të premten autoritetet raportuan 594 raste të reja.

Shumica e infektimeve janë lidhur me një sekt fetar, ku disa javë më parë një person i infektuar kishte marrë pjesë në një meshë me mbi 4000 vetë. 

Në Itali numri i infektimeve u rrit me të paktën 40 për qind. Rajoni më i prekur mbetet Lombardia, ndërsa gjithsej mbi 800 vetë janë infektuar e 21 kanë humbur jetën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po i ndjek rastet me shqetësim edhe në Iran ku jo zyrtarisht mësohet se kanë humbur jetën nga koronavirusi mbi 200 vetë, e dhënë e hedhur poshtë menjëherë nga Ministria e Shëndetësisë.

ShBA-ja i ofroi ndihmë Irani për të frenuar epideminë, por ajo u refuzua nga Teherani zyrtar.

Ekziston gjithashtu frika se Koreja e Veriut po fsheh rastet e infektimit, pasi agjencia zyrtare e lajmeve citoi udhëheqësin Kim Jong Un të kërkonte gjatë mbledhjes së Byrosë Politike marrjen e të gjitha masave për të frenuar përhapjen e virusit./Gazeta Sinjali/