image Koronavirusi po bën "kërdinë" në Kosovë, por presidenti Thaçi vazhdon të shkel masat e qeverisë

Kosovë

Koronavirusi po bën “kërdinë” në Kosovë, por presidenti Thaçi vazhdon të shkel masat e qeverisë

news image

Rritja e numrit të rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë dhe në botë, duket se nuk po i bën përshtypje presidentit Hashim Thaçi, shkruan Gazeta Sinjali.

Përkundër masave të reja të qeverisë për ndalimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit, Thaçi po vazhdon të mblidhet me dhjetëra persona dhe të fotografohet “ngjitur” me ta, pa maska dhe pa distancë.

Një veprim të tillë, presidenti e bëri edhe sot.

Në një foto të publikuar nga ish-kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, Thaçi shihet vetë i 33-ti.

As presidenti dhe asnjëri prej tyre nuk kanë respektuar distancën dhe nuk kanë vendosur maskë mbrojtëse.

Në mesin e personave që e shoqërojnë presidentin Thaçi në foto, shihet se janë edhe disa të moshuar, të cilët nga organizatat shëndetësore po konsiderohen si personat më të rrezikuar nga koronavirusi.

Lushtaku ka njoftuar se fotografia është realizuar sot në fshatin Kostërrc të Suharekës, ku bashkë me Thaçin kanë shkuar për ngushëllim në familjen Spahiu, e cila humbin një fëmijë në aksident trafiku.

“Bashkë me Presidentin e Republikës Hashim Thaçi, ishim për ngushëllime te familja Spahiu në fshatin Kostërrc. Ëngjulli i ri Loriku, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra në një aksident komunikacioni”, ka shkruar Lushtaku mbi foto.

Ai ka apeluar vozitësit që të kenë kujdes në komunikacion sepse shpejtësia e madhe e pakujdesia në vozitje, thotë se po kushton me humbje të jetëve.

“Ngushëllimet më të thella për familjen Spahiu dhe gjithë farefisin”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë që gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë kanë vdekur 8 persona, të cilët ishin të prekur me COVID-19, ndërkaq janë regjistruar 334 raste të reja, duke e çuar kështu në 4 mijë e 562 numrin e rasteve aktive./Gazeta Sinjali/